Myftiu i Stambollit: Është nevoja për ndërtimin e 10 mijë xhamive të reja

Myftiu i Stambollit, profesor Hasan Kamil Yilmaz tha se qyteti ka nevojë për më shumë se 10 mijë xhami të reja, duke theksuar se aktualisht qyteti ka vetëm 3.365 xhami. Yilmaz shpjegoi se xhamitë ekzistuese në Stamboll nuk janë të mjaftueshme dhe se qyteti ka nevojë për 15.000 xhami, për t’iu përgjigjur numrit të banorëve së tij. Ai shtoi: “Ka zona në Stamboll ku mungojnë xhamitë, e në disa të tjera ka një xhami për çdo 50 mijë banor. Ky është një numër i madh, e nuk mund të mendohet që një xhami tu mjaftojë gati 50 mijë banorëve”. Duke trajtuar të njëjtën temë ai shton: “Kjo mungesë e xhamive çon në mbipopullim të xhamive ekzistuese, veçanërisht në kohët kur namazlinjtë janë më të shumtë në numër”.

Yilmaz theksoi se është e domosdoshme të ndërmerren hapa për të rritur numrin e xhamive në këtë qytet antik, sidomos në zonat me dendësi të madhe të popullsisë, duke apeluar për rindërtimin dhe restaurimin e xhamive të vjetra në mënyrë që të jenë rezistente ndaj tërmeteve, sidomos ato të ndërtuara para tërmetit shkatërrues në Turqi, në vitin 1999. Gjatë bisedës ai shtoi: “Ne duhet të mirëmbajmë xhamitë historike, ndërsa ato të ndërtuara në kohë të mëvonshme duhet të rindërtohen apo restaurohen për tu rezistuar tërmeteve. Ne kemi filluar ta zbatojmë këtë projekt në lagjen Kadikoy. Në këtë lagje janë shembur rreth 30 xhami për tu rindërtuar përsëri.”

Yilmaz theksoi se Kryesia e Çështjeve Fetare Turke feston për një çerek shekulli eventin e ” Java e Xhamive “, e cila nis nga fillimi i muajit të tetorit deri në ditën e shtatë të tij, çdo vit. Kjo nisur nga bindja se xhamitë janë një simbol nga simbolet e qytetërimit islam. Myftiu theksoi se qëllimi i kësaj feste është sjellja në vëmendjen e punonjësve të xhamive madhështinë e punës që ata kryejnë. Ndërkohë, organizimet e ndryshme i kujtojnë komunitetit rëndësinë e xhamive në qytetërimin islam.” Yilmaz, në vijim të fjalës së tij thotë: “Gjatë festimit, ne organizojmë programe që na njohin me të gjithë myftinjtë që kanë punuar në shërbimin e xhamive në Stamboll, që nga shpallja e Republikës e deri sot.” Në vijim myftiu thotë: “Në kuadër të “Javës së Xhamive” në vitet e shkuar jemi njohur me 4 myftinj dhe këtë vit ne do të njihemi me myftiun e pestë, i cili është Ali Fikri Effendi Yavuz. Eventi ynë, i vitit 2017 do të zhvillohet nën moton: “Xhamisë dhe Qytetërimi.”

Yilmaz theksoi se ekzistojnë 945 biblioteka në xhamitë e Stambollit dhe se po bëhen përpjekje për t’i shtuar më shumë, për të inkurajuar leximin dhe mësimin. Yilmaz gjithashtu vlerësoi përpjekjet e bëra nga imamët dhe predikuesit në xhami në transformimin e tyre në qendra të edukimit dhe të mësimdhënies për qytetarët, si dhe të mësimit të Kuranit për fëmijët në kurset verore, po ashtu dhe të ndërgjegjësimit të të rinjve për rreziqet e drogës dhe motivimin e tyre për t’iu përkushtuar adhurimit. Ai gjithashtu theksoi se Kryesia e Çështjeve Fetare i shpërblen ata imamë dhe predikues që punojnë për të tërhequr fëmijët në xhami dhe për t’u mësuar atyre Parimet e Fesë Islame. Ai vuri në dukje, në këtë drejtim, se xhamitë nuk janë një vend vetëm për të moshuarit dhe pensionistët, por për të gjithë njerëzit e të gjitha grupmoshave, veçanërisht të rinjtë, të cilët duhet tu drejtohen atyre për të kaluar kohën e lirë.

Share Button