Mustafa Yeneroglu: “Gjermania nuk duhet të bëhet strehë për organizatat terroriste”

Kryetari i komisionit për të drejtat e njeriut në Kuvendin e Madh Popullor të Turqisë (TBMM), Mustafa Yeneroglu, ka thënë se Gjermania do të duhet të ndryshoj paradigmën për politikën e saj kundrejt Turqisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Yeneroglu rrjedh nga një familje emigrantësh turq në Gjermani dhe është i diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Këln.

Ai është i mendimit se Gjermania si një shtet që kultivon marrëdhënie të thella tregtare, kulturore dhe shoqërore me Turqinë do të duhet të heq dorë nga politika e nënçmimit.

Yeneroglu ka thënë më tej se veprimi gjerman për tu lejuar qasje dhe hapësirë organizatave terroriste PKK dhe FETO është joracionale, sepse siç ka thënë dy shtetet po kalojnë aktualisht përmes një procesi historik.

“Gjermania që e njeh strukturën politike dhe jetën sociale dhe kulturore të të dyja vendeve, duhet të ndryshojë paradigmën e saj politike për Turqinë. Gjermania nuk guxon dhe nuk duhet të paraqes strehë për organizatat terroriste që kërcënojnë jetën e qytetarëve turq dhe që kërcënojnë sigurinë e Turqisë”, tha Yeneroglu.

Kryetari i komisionit për të drejtat e njeriut në Asamblenë e Madhe Popullore të Turqisë, tha më tej se të dyja shtetet janë anëtare të NATO-s, dhe si të tilla tek ato dominon lufta kundër terrorizmit, për të shtuar se kjo fushë kërkon një bashkëpunim reciprok.

“Meqë kemi të bëjmë me një çështje mjaft delikate siç është siguria e Turqisë, shqetëson fakti se Gjermania dhe Turqia nuk kanë prioritete të njëjta”, tha Yeneroglu sipas të cilit ka një dallim mes periudhës së vjetër dhe asaj të re në raportet turko-gjermane.

“Në të kaluarën Gjermania kishte të bëj me një Turqi pasive. Gjermania që është motori i BE-së, qoftë përmes institucioneve të BE-së ose rrugëve ekonomike dhe politike në të cilat kalonte Turqia e shihte veten në pozitë të urdhëruesit. Kjo asimetri ka ndryshuar me Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti). Me stabilitetin politik dhe rritjen ekonomike u shfaq një tjetër Turqi”, tha ai.

Ai ka komentuar edhe për organizatën terroriste PKK në Gjermani, duke shtuar se “Nëse flasim për shembullin e PKK-së, politikanët deklarojnë se PKK është e ndaluar në Gjermani, por në raportet e Zyrës për Mbrojtjen e Kushtetutës (BFV) nuk ka asgjë në lidhje me këtë.”

Ai vuri në dukje edhe qëndrimin e Gjermanisë për ushtarakët besnik të organizatës terroriste FETO që bënë tentativë për grusht shteti në Turqi, për të shtuar se pas puçit, zyrtarë gjermanë vizituan Ankaranë, por që deklaratat e tyre në Turqi dallonin me ato të cilat i bënë me tu kthyer në Gjermani.

Sipas Yeneroglu, përkrahja politike që u bëhet atyre që kërcënojnë Turqinë është pengesa më e madhe në normalizimin e raporteve mes dy shteteve. “Nëse tejkalohet kjo pengesë atëherë Turqia do të ndërmarrë hapat e nevojshëm”, tha ai, për të shtuar se normalizimi i raporteve është i domosdoshëm.

“Turqia ka një popullsi të re, një ekonomi në rritje dhe pozitë gjeo-strategjike që e bën të jetë një partner i rëndësishëm për Gjermaninë, njëjtë siç është teknologjia dhe fuqia ekonomike e Gjermanisë një partner i rëndësishëm për Turqinë”, përfundoi Yeneroglu.

Share Button