Muslimanët e Arakanit vazhdojnë përpjekjet për mbijetesë në kushte çnjerëzore

Muslimanët e Arakanit, të cilët ishin shënjestër e sulmeve të ushtrisë së Mianmarit dhe budistëve radikalë dhe të cilët po ballafaqohen me vrasje në kufirin me Bangladeshin, vazhdojnë përpjekjet e tyre për mbijetesë në kushte çnjerëzore.

Reporteri i AA-së ka arritur të hyjë në fshatrat e komunitetit Rohingya në qytetin Sittwe, duke xhiruar kushtet në këtë rajon.

Popullatës në këto fshatra i janë mbyllur dyert për dalje përmes gardhit të vendosur nga qeveria budiste me arsyetimin për shkaqe sigurie, ndërsa i ndalohet madje edhe shkuarja në fshatrat më të afërta. Në këtë mënyrë, fshatrat e tyre thuajse janë shndërruar në burg.

Muslimanët e Arakanit po ashtu e kanë të ndaluar të shkojnë edhe në qendër të qytetit dhe rrugët kryesore, kurse nuk ka asnjë siguri për jetën e tyre.

Teksa shtetasit e Mianmarit nuk i nënshtrohen asnjë ndëshkimi për vrasje të ndonjë muslimani të Arakanit, krimi më i vogël i një muslimani të Arakanit herë pas herë mund të ndëshkohet me ekzekutim.

– “Muslimanë pa shtet”

Muslimanët e Arakanit humbën të drejtën e shtetësisë në Mianmar nëpërmjet një ligji të miratuar në vitin 1982 nga qeveria budiste, ndërsa llogariten si popull “pashtet”. Ata llogariten si “pakica më e persekutuar” nga OKB, ndërsa përballen me dhunë dhe me diskriminim ligjor, ekonomik dhe shoqëror.

Të shpërfillur për shkak të mungesës së identitetit, këta njerëz privohen madje edhe nga nevojat themelore, siç është arsimi dhe shëndetësia.

Shërbimet e urbanizmit modern, përfshirë edhe shërbimet infrastrukturore themelore si rryma elektrike, uji dhe kanalizimi, në mënyrë të vetëdijshme nuk sigurohen nga qeveria budiste.

Shtëpitë e popullatës muslimane digjen nga banda budiste, ndërkohë që atyre nuk u lejohet ndërtimi i shtëpive të reja.

Si pasojë e hedhjes së fekaleve në rrugë për shkak të mungesës së sistemit të kanalizimit, rajoni ballafaqohet me ndotje ekstreme, teksa ka vështirësi edhe në qasjen në ujë të pastër. Si rrjedhojë, rajoni rrezikohet nga shumë epidepmi, siç janë tifoja, dizenteria, verdhëza dhe kolera.

Banorët, shpeshherë shprehen se janë të sëmurë, veçanërisht fëmijët. Ata ankohen për mungesë të shërbimeve shëndetësore.

Edhe reshjet e fuqishme si rezultat i klimës monsun në rajon ndikojnë negativisht në jetën e njerëzve.

– “Le të përfundojnë dhimbjet që po i përjetojmë me shekuj”

Abdullah Hassan, 75 vjeçar që jeton në fshatin Manubin, tregoi letërnjoftimin që për herë të fundit i ishte dhënë në vitin 1982. Ai thotë se tani më 35 vite jeton pa identitet.

Hassan shprehet se dëshirojnë që të marrin fund dhimbjet që po i përjetojnë me shekuj. Ai shprehu kritika për, siç thotë, reagimin e pamjaftueshëm të botës islame, me në krye Bangladeshin. Ndërkaq, ai falënderoi Turqinë për mbështetjen e ofruar.

Edhe Memoye Adil, një tjetër i banor i moshuar i fshatit, rrëfen se ushtarët dhe budistët ekstremistë i sulmojnë shpeshherë dhe se siguria e jetës së tyre ndodhet në rrezik.

Ndërkohë, hyrja në zonën kufitare me Bangladeshin, ku ndodhën konfliktet fillestare, është pamundësuar për shkak të shpalljes si zonë ushtarake. Në këtë hapësirë mund të arrihet me barkë përmes detit për dy orë e gjysmë, ndërsa më pas duke udhëtuar në rrugë për tre orë.

Thuhet se gjendja e muslimanëve që kanë kaluar kufirin me Bangladeshin është mirë, kurse ata që gjenden në kufi ende përballen me dhunë.

Ndryshe, një numër i madh i civilëve ka humbur jetën javën e fundit nga sulmet e ushtrisë së Mianmarit në shtetin e Arakanit.

Gjatë sulmeve të ushtrisë janë shënjestruar mbi 60 fshatra, ndërsa dhjetëra prej tyre janë djegur. Dhjetëra mijëra muslimanë të Arakanit përpiqen të ikin nga rajoni për shkak të sigurisë, duke shkuar në zona relativisht të sigurta ose duke u përpjekur ta kalojnë në Bangladesh nëpërmjet rrugëve ilegale.

Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare.

Share Button