Moti në vend, Emergjencat: Situata nën monitorim

Shtabi i Emergjencave Civile në Ministrinë e Brendshme raportom se akset kombëtare dhe rurale kanë qënë përgjithësisht të qarkullueshme nga automjetet deri mëngjesin e të hënës,

Në disa prej akeseve qarkullimi bëhet me zinxhirë për shkak të prezencës së dëborës dhe ngricave. Megjithatë bëhet e ditur se firmat kontraktore vijojnë punën me kapacitet të plotë për hedhjen e kripës dhe skorjeve në rrugë.

Hidrovorët në të gjithë vendin kanë punuar me kapacitet të plotë, pasi nuk ka patur probleme të ndërprerjes së furnizimit me energji elektrike.

QARKU SHKODËR

Akset rrugore kombëtare dhe rurale kanë qenë të hapura, por në disa prej tyre qarkullimi i automjeteve është bërë me zinxhirë, sidomos gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, për arsye sigurie prej ngricave të krijuara nga temperaturat e ulta.
Firmat kontraktore kanë hedhur vazhdimisht kripë në këto akse rrugore.
Vetëm segmenti rrugor Bardhet – Iballë vazhdon të jetë i bllokuar.
Gjatë ditës së djeshme grupet e punës së OSHEE-së kanë punuar dhe riparuar defektet në të gjitha fiderat e territorit të qarkut.

QARKU KUKËS

Akset rrugore kombëtare dhe rurale kanë qenë të hapura, por në disa prej tyre qarkullimi i automjeteve është bërë me zinxhirë, sidomos gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, për arsye sigurie prej ngricave të krijuara nga temperaturat e ulta. Rreth 35 mjete borëpastruese dhe fadroma janë angazhuar në këtë qark, për të mbajtur hapur akset rrugore.
Akset rrugore kombëtare
Në Rrugën e Kombit trashësia e dëborës afër tunelit Thirrë – Kalimash është 45 cm, por në rrugë nuk ka dëborë sepse 8 borëpastrueset kanë qenë vazhdimisht në punë.
Aksi rrugor Kolsh – Qafë Shllak ka dëborë me trashësi rreth 30 cm. Në këtë aks kanë punuar 2 borëpastruese dhe 1 fadromë.
Aksi rrugor Kukës – Draj Reç ka dëborë me trashësi rreth 25 cm. Në këtë aks kanë punuar 4 borëpastruese dhe 1 fadromë.
Aksi rrugor Kukës – Ura e Zapodit ka dëborë me trashësi rreth 20 cm. Në këtë aks kanë punuar 1 borëpastruese dhe 1 fadromë.
Aksi rrugor Kukës – Krumë, në Qafë të Toblit, ka dëborë me trashësi rreth 30 cm. Në këtë aks kanë punuar 2 borëpastruese dhe 1 fadromë.
Aksi rrugor Krumë – Qafë Prush – Kam, ka dëborë me trashësi rreth 30 cm. Në këtë aks kanë punuar 2 borëpastruese dhe 1 fadromë.
Aksi rrugor Plepa – Kam – Sopot, në Qafë Luzhë, ka dëborë me trashësi rreth 40 cm. Në këtë aks kanë punuar 2 borëpastruese dhe 2 fadroma.
Aksi rrugor Bajram Curri – Valbonë ka dëborë me trashësi rreth 35 cm. Në këtë aks kanë punuar 2 borëpastruese dhe 1 fadromë.
Aksi rrugor Bajram Curri – Qafë Morinë ka dëborë me trashësi rreth 8 cm. Në këtë aks kanë punuar 2 borëpastruese dhe 1 fadromë.
Aksi rrugor Bajram Curri – Fierzë ka dëborë me trashësi rreth 15 cm. Në këtë aks kanë punuar 2 borëpastruese dhe 1 fadromë.
Akset rrugore në administrim të bashkive
Në Bashkinë Kukës – si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave të skarpatës së rrugës fshati Lojme vazhdon të jetë ende i bllokuar. Në këtë segment rrugor nuk mund të ndërhyhet as me mjete dhe njerëz për arsye sigurie.
Vazhdojnë të jenë bllokuara fshatrat e njësive administrative Grykë, Çaj, Kalis, Arrën dhe disa fshatra në njësitë administrative Zapod dhe Topojan.
Në Bashkinë Has dhe Tropojë nuk ka patur probleme me akset rrugore rurale por vetëm në rrugët rurale të fshatrave të thella malore.

Vazhdojnë të jenë pa energji elektrike fshati Buzëmadhe në Njësinë Administrative Grykë, Çaj, fshati Vilë në Njësinë Administrative Bushtricë, si dhe njësitë administrative Surroj dhe Arrën.
Pa energji elektrike janë fshatrat Visoç dhe Shëngjegj, të Njësisë Administrative Bytyç.
Grupet e punës të OSHEE-së janë në terren për riparimin e defekteve në të gjithë fiderat e rrjetit të furnizimit me energji elektrike.

QARKU DIBËR

Akset rrugore kombëtare kanë qenë të hapura por në disa prej tyre qarkullimi i automjeteve është bërë me zinxhirë, sidomos gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, për arsye sigurie prej ngricave të krijuara nga temperaturat e ulta.
Firmat kontraktore kanë punuar për pastrimin e akseve rrugore nga dëbora dhe trajtimin e tyre me kripë.
Gjendja e akseve rrugore për në qendrat administrative:
Aksi rrugor rural Rrëshen – Kurbnesh – Lurë vazhdon të jetë i bllokuar.
Aksi rrugor rural Arras – Zall Dardhë, në të cilin ka patur një shembje të trupit të rrugës në fshatin Grykë Nokë, është hapur pasi ka punuar një fadromë.
Aksi rrugor rural Ura e Çerenecit – Klenjë është hapur dhe po punohet drejt Steblevës.
Aksi rrugor rural Selishtë – Muhurr është hapur.
Aksi rrugor rural, i cili lidh rrugën kombëtare Peshkopi – Arras – Draj Reç me qendrën e Njësisë Administrative Zall Reç, është i kalueshëm.
Rrugët rurale të fshatrave të thella si: Bellovë, Zagrad, Cerjan, Rabdisht, të Njësisë Administrative Melan, janë hapur.
Rrugët rurale të fshatrave Xibër Hane, Xibër Murrizë dhe Ketë, të Njësisë Administrative Xibër, vazhdojnë të jenë të bllokuara.

QARKU ELBASAN

Akset rrugore kombëtare dhe rurale janë të hapura dhe pa prezencë dëbore në rrugë.
Aksi rrugor Librazhd – Steblevë është hapur duke u pastruar nga dëbora ditën e djeshme prej 2 mjete të firmës kontraktore dhe qarkullimi i automjeteve bëhet normalisht.
Në segmentin Prrenjas – Qafë Thanë ka rreth 10 cm dëborë, por qarkullimi i automjeteve vazhdon normalisht. Në Qafë Thanë automjetet përdorin zinxhirët për qarkullim.
Për shkak të rënies së reshjeve dhe rritjes së nivelit të ujit në lumin Devoll, si dhe rritjes së nivelit të liqenit të HC të Banjës, qarkullimi i automjeteve nga Elbasani për në Gramsh nuk bëhet nga aksi rrugor Banjë – Gramsh që prej mëngjesit të ditës së djeshme, por nga segmenti rrugor Llixha – Gramsh.
Gjatë ditës së djeshme grupet e punës së OSHEE-së kanë punuar dhe riparuar defektet në të gjitha fiderat e territorit të qarkut.

QARKU KORÇË

Të gjitha akset rrugore kombëtare dhe rurale janë të hapura, por në disa segmente të tyre qarkullimi është bërë me zinxhirë për shkak të dëborës dhe ngricave.
Akset rrugore kombëtare Qafë Thanë – Qafë Plloçë, në Qafë Plloçë;
Korçë – Ersekë; Qafë Qarri dhe Qafë Bigllë, si dhe Boboshticë-Dardhë, të fshatit turistik Dardhë, qarkullimi i automjeteve është bërë me zinxhirë.
Vështirësi ka patur në qarkullimin e automjeteve në aksin rrugor Korçë – Voskopojë për shkak të dëborës dhe ngricës.
Gjatë ditës së djeshme grupet e punës së OSHEE-së kanë punuar dhe riparuar defektet në të gjitha fiderat e territorit të qarkut.

QARKU VLORË

Të gjitha akset rrugore kombëtare dhe rurale janë të hapura. Në Qafën e Llogarasë qarkullimi i automjeteve është bërë normalisht. Mjetet e subjektit kontraktues kanë ndërhyrë duke shpërndarë kripë në rrugë.

Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen probleme për shkak të kushteve të motit.

Share Button