Moti i keq pengon kërkimet e tragetit në Kore

Moti i keq, ujërat e turbullta dhe rrymat e fuqishme kanë penguar kërkimet për të mbijetuarit nga mbytja e tragetit në Korenë e Jugut. Shërbimet e emergjencës janë duke kërkuar ende për afërsisht 300 persona që mbeten të zhdukur, pas përmbysjes dhe fundosjes së anijes me 470 persona në bord. Zyrtarët thanë se 179 persona janë nxjerrë prej tragetit, shumica e pasagjerëve në të ishin nxënës në të njëjtën shkollë të mesme. Autoritetet thanë se ka mbetur shumë pak kohë në dispozicion për kërkimet në mënyrë që të gjenden persona të gjallë. Bilanci i viktimave konfirmohet se ka shkuar në nëntë, ndërsa me dhjetëra janë plagosur. Zhytësit ushtarakë kanë luftuar me erën e fortë dhe dallgët për të arritur të hyjnë në tragetin e fundosur. Tre prej tyre gati sa nuk humbën jetën kur u morrën nga rrymat, por u shpëtuan nga një anije peshkimi. Mjete lundruese nga roja bregdetare dhe marina ndodhen në vendngjarje për të mbajtur të pandërprera kërkimet që tashmë përfshijnë më shumë se 500 zhytës, 169 anije dhe 29 avionë.
Por, familjarët e të zhdukurve janë mbledhur në një ishull të afërt me zonën e katastrofës dhe këmbëngulin se duhet bërë më shumë për të nxjerrë njerëzit e tyre prej tragetit të përmbysur. Ata kanë shprehur dhimbjen e zemërimin e tyre, ndërkohë që drejtuesi i tragetit u ka kërkuar ndjesë për incidentin.

Share Button