Moskë, 14 të vdekur nga moti i keq

Bilanci i të vrarëve nga stuhia që goditi të hënën Moskën është rritur në 14, kurse më shumë se 150 persona janë shtruar në spital, raporton Anadolu Agency (AA).

Komisioni Hetimor i Rusisë ka deklaruar të martën se 11 persona kanë vdekur në Moskë dhe 3 në periferi të qytetit.

Moska të hënën pasdite është goditur nga një stuhi e ndjekur me reshje të dendura dhe erë të fuqishme të cilat kanë rrëzuar pemët, shembur çatitë dhe janë dëmtuar mbi 1500 automjete.

Era që ka arritur shpejtësinë prej 108 kilometra në orë, ka rrëzuar dhe disa pisha në rezidencën e kryeministrit rus, Dmitri Medvedev.

Për shkak të motit të keq janë anuluar fluturimet nga aeroporti i Moskës dhe është ndërprerë trafiku hekurudhor, derisa punëtorët të largojnë pemët nga hekurudha.

Yulia Ivanova, zëdhënëse e Komisionit Hetimor të Rusisë, të hënën deklaroi se pesë njerëz kanë vdekur në vendin e ngjarjes.

“Pesë persona kanë vdekur në vendin e ngjarjes nga plagët e marra. Të njëjtën ditë era e fortë ka rrëzuar stacionin e dëmtuar të autobusit në Kirovogradskaya, ku një i moshuar vdiq”, tha Ivanova.

Sergey Sobyanin, kryetari i Bashkisë së Moskës, ka shprehur ngushëllimet e tij për viktimat. Ai theksoi se stuhia dukej si një uragan dhe që ka shkatërruar qindra pemë në qytet.

Share Button