Monitorimi me kamera, i detyrueshëm për të gjitha thertoret në Angli

Të gjitha thertoret në Angli do të duhet të instalojnë kamera vëzhguese me detyrim, si pjesë e planit të qeverisë për të monitoruar mirëqenien e kafshëve.

Rregullat e reja do të vihen në zbatim duke nisur nga viti i ardhshëm, ndërsa veterinerët e Agjencisë së Standardeve të Ushqimit do të kenë mundësinë të shohin pamje filmike të vendeve ku mbahet gjëja e gjallë.

Ato thertore që nuk do të plotësojnë kushtet e mirëqenies do të përballen me një investigim kriminal ose do të humbasin licencat e stafit.
Synimi i Ministrisë së Mjedisit është ta bëjë Mbretërinë e Bashkuar një lider botëror në mirëqenien e kafshëve.

“Kemi disa nga standardet më të larta në botë për mirëqenien e kafshëve dhe masat që po ndërmarr sot do ta forcojnë statusin tonë si lider global.
Teksa përgatitemi për t’u larguar nga BE, këto masa do të shërbejnë për t’i demonstruar konsumatorëve në të gjithë botën se ushqimi jonë prodhohet me standardet më të larta”, u shpreh Ministri Michael Gove.

Ligjet për trajtimin e kafshëve aktualisht duhet të zbatohen nga të gjithë rritësit e gjësë së gjallë, duke nisur nga mënyra se si ushqehen, mbahen, transportohen, apo se si vriten.
Planet për ta bërë vëzhgimin me kamera të detyrueshëm po konsiderohen edhe nga qeveria e Uellsit.

Share Button