Mogherini: Paqja mes Izraelit dhe Palestinës me rëndësi për BE-në

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini sot, pas një takimi me Presidentin e Palestinës, Mahmud Abbas në Bruksel, tha se BE-ja i jep rëndësi të madhe ndërtimit të paqes mes Izraelit dhe Palestinës, raporton Anadolu Agency (AA).

“Ne mbetemi të angazhuar për një zgjidhje me dy shtete. Ne e shohim zgjidhjen me dy shtete, si e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemin në këtë rajon”, tha Mogherini, duke shtuar se politika e BE-së ndaj Lindjes së Mesme ka mbetur e njëjtë.

“Ndryshimet që kanë të bëjnë me periudhën para vitit 1967 do ti njohim vetëm nëse palët arrijnë një marrëveshje mbi të. Unë ende e shoh Jerusalemin si kryeqytet i dy shteteve dhe mbështesim praninë politike dhe ekonomike të palestinezëve në Jerusalemin Lindor”, tha Mogherini.

Ajo vuri në dukje gjithashtu se procesi i ndërtimit të paqes mes Izraelit dhe Palestinës zë vend shumë të rëndësishëm në BE.

“BE-ja i kushton rëndësi të madhe ndërtimit të paqes mes Izraelit dhe Palestinës, ndërsa edhe më tej në axhendën tonë kjo çështje zë një vend shumë të rëndësishëm”, ka thënë Mogherini.

Abbas pas takimit theksoi se me Mogherinin ka diskutuar për iniciativat e fundit që janë propozuar për të arritur një zgjidhje të përhershme në mes të Palestinës dhe Izraelit.

“Mbahen takime të shumta dhe ka kontakte të shumta që përpjekjet e SHBA-ve dhe të komunitetit ndërkombëtar të japin rezultate. Presidentit amerikan Donald Trump tashmë i kam thënë se ne jemi të gatshëm për paqe”, tha Abbas.

Ai theksoi se pala palestineze është e gatshme për një paqe të qëndrueshme që do të kontribuojë për t’i dhënë fund pushtimit izraelit të Jerusalemit që ky qytet të jetë i hapur për anëtarët e tri feve monoteiste.

“Megjithatë, aktivitetet e kryera për ndërtimin e vendbanimeve dhe konfiskimin e territorit palestinez ndodhin vetëm në një vend që ka një sistem të aparteidit. Trysnitë dhe presionet nuk mund të sjellin siguri dhe paqe. Siguria dhe paqja mund të arrihet vetëm me drejtësi, barazi dhe marrëdhënie të mira fqinjësore. Ne jemi të gatshëm për të, dhe unë shpresoj se qeveria izraelite dhe populli izraelit nuk do të prishë këtë mundësi”, tha Abbas.

Presidenti palestinez gjatë vizitës në Bruksel, përveç me Mogherinin, u takua edhe me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, Presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker dhe presidentin e Parlamentit Evropian Antonio Tajani.

Share Button