Mogherini: Është koha që të votoni demarkacionin me Malin e Zi

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë dhe zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Federica Mogherini, në kuadër të vizitës së saj në Kosovë sot u takua me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, ku morën pjesë edhe ministrat e kabinetit qeveritar, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas këtij takimi, përfaqësuesja e lartë Mogherini dhe kryeministri Mustafa mbajtën një konferencë për media. Gjatë fjalimit të saj, Mogherini ritheksoi se dy kushtet për liberalizimin e vizave për Kosovën janë luftimi i korrupsionit dhe ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ku në kriterin e parë sipas saj ka patur një progres të vlerësuar edhe nga BE. Ajo bëri thirrje tek partitë politike që t’i tejkalojnë debatet politike dhe ta gjejnë mënyrën e pajtimit që të përparojë vendi i tyre.

“Është koha e fundit që të ecim përpara. Është koha që të votoni ratifikimin e marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi. Kjo do të zhbllokojë liberalizimin e vizave për popullin e Kosovës. Ne jemi të gatshëm për këtë e tash i mbetet Parlamentit të këtij shteti që t’i ndërmarrë hapat përpara”, tha Mogherini.

Ajo po ashtu përgëzoi zyrtarët e lartë shtetërorë të Kosovës për qëndrimet e tyre konstruktive dhe pozitive, në momentet e tensioneve me Serbinë, të cilat sipas saj u tejkaluan nëpërmjet dialogut. Duke theksuar se dialogu nuk ka alternativë, Mogherini siguroi mbështetjen e plotë të BE-së për implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Para se të largohem nga Kosova do ta vizitojë urën e Mitrovicës e cila më nuk do të shënojë konfrontim apo ndarje por do të bëhet simbol i një marrëdhënieje të re në mes të komuniteteve shqiptare dhe serbe të Kosovës. Hapësira urbane do të vihet në dispozicion të qytetarëve të Mitrovicës së Veriut dhe Jugut dhe rivitalizimi i urës si dhe rruga e Mbretit Petër do t’i lehtësojë kontaktet në mes të gjitha qytetarëve të Mitrovicës dhe do të kontribuojë në shkëmbimet e mirëkuptimit, dhe kjo është gjithçka që lidhet me dialogun”, tha Mogherini.

Kurse kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se përkundër kundërvishtrimeve nga opozita, Qeveria e Kosovës është e përkushtur në procesin e dialogut, si një alternativë e pazëvendësueshme. Por sipas tij, pala serbe nuk po tregon gadishmërinë e njëjtë, duke mbajtur peng edhe ardhjen e deputetëve dhe ministrave serbë në Qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës. Ai kërkoi përkrahje nga BE-ja, që përmes ndikimit të tyre të bëhet kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës.

“Po ashtu kërkuam ndihmën e përfaqësueses së lartë Mogherini dhe të Komisionit Evropian në kapërcimin e gjendjes të cilin ne e kemi tani me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi për shkak të kundërshtimeve që i kemi në një pjesë të parlamentit, përfshirë tërë opozitën por edhe të mungesës së pjesëmarrjes së deputetëve të listës serbe në Kuvend, që po shkakton që qytetarët tanë të mbesin peng i këtij kriteri dhe ata nuk mund të lëvizin lirshëm ashtu siç lëvizin qytetarët e tjerë në suaza të BE-së”, tha Mustafa.

Në kuadër të vizitës në Kosovë, e cila është pjesë e vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor, Mogherini sot u takua edhe me presidentin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli.

Më pas ajo do të takohet edhe me udhëheqësit e partive politike parlamentare dhe do ta vizitojë Urën e Ibrit në Mitrovicë, ku po zhvillohet rivitalizimi i saj, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

 

Share Button