Miratohet raporti për CIA-n

Komiteti i Senatit për shërbimet e inteligjencës, votoi pro rekomandimit që pjesë të raportit të vet mbi metodat brutale të marrjes në pyetje nga ana e CIA-s të jenë të hapura për publikun. Bëhet fjalë për disa pjesë që do të deklasifikohen si dokumente sekrete e që tregojnë se CIA përdori metoda që mund të cilësohen si torturë kur ka marrë në pyetje të dyshuarit për terrorizëm. Gjithsesi, sipas zyrtarëve amerikanë, do të duhet kohë derisa përmbledhja e raportit të bëhet publike. Pjesë të kësaj përmbledhjeje të rrjedhura në shtyp, tregojnë sesi CIA shpesherë nuk ishte treguar e hapur me Qeverinë në lidhje me metodat e veta të marra në pyetje kur në krye të Shtëpisë së Bardhë ishte George W Bush.Vetë Shërbimi sekret amerikan deklaroi se disa nga gjetjet e raportit të Senatit përmbajnë gabime.
Por, votimi 11 me 3 në favor të deklasifikimit të raportit do të bëjë që ai të jetë i hapur për të gjithë publikun. Sipas kryetares së Komitetit të Inteligjencës në Senat, Dianne Feinstein raporti sjell rezultate shokuese të hetimit që është bërë. “Raporti ekspozon brutalitetin që qëndron në kontrast të thellë me vlerat tona si komb. Ai bën kronikën e një njolle në historinë tonë e cila nuk duhet lejuar të ndodhë më”, theksoi ajo.
Korrespondentët thonë se ndërsa disa nga republikanët votuan së bashku me demokratët në favor të deklasifikimit të raportit, dukej qartë se brenda panelit kishte ndasi të thella. Megjithatë, palët ranë dakord se publikimi i përmbledhjes është shenjë se kombi amerikan i pranon gabimet e bëra, sado të dhimbshme të jenë dhe kërkon të nxjerrë mësime prej tyre.

Share Button