Mielli serb gjunjëzon industrinë shqiptare, e pasigurt çfarë po konsumojmë

Fabrikat e blojës panë rënie dyshifroreve të xhirove vjetore më 2016, si pasojë e konkurrencës së importeve të miellit nga Serbia e Kosova. Industrialistët lajmërojnë zhvendosje në sektorë të tjerë, teksa kanë shkurtuar 30% të punonjësve dhe janë kthyer në kredimarrës të këqij.

Fabrikat po punojnë me një tretën e kapaciteteve, ndërsa pasojat negative janë shtrirë në të gjithë zinxhirin. Administratorët e fabrikave të mëdha në vend japin alarmin SOS. Ja rekomandimet për daljen nga situata. A po cenohet siguria e konsumatorëve? Si po rriten sërish importet e miellit, pasi ranë ndjeshëm pas viteve 2000, si rrjedhojë e zhvillimit të industrisë vendase

 

Alarmi që industria e blojës dha një vit më parë se importi i miellit serb nga Kosova po cenon rëndë sigurinë ushqimore dhe po dëmton në mënyrë të padrejtë bizneset e tyre duket se është bërë realitet, i konfirmuar tashmë nga sipërmarrësit e sektorit dhe shifrat zyrtare të bilanceve dhe doganave. Ambienti i vështirë i biznesit nga taksat dhe çmimi i lartë i energjisë ka marrë goditjen finale nga një marifet i importeve nga Kosova, ku mielli i biskotave pa proteinë po hyn si miell buke me çmim më të lirë. Prej këtij fenomeni, fabrikat më të mëdha të prodhimit të miellit në vend kanë pësuar rënie dyshifrore të xhirove në vitin 2016 dhe punojnë me gjysmën e kapacitetit të instaluar. Të dhënat e doganës për 2016-n konfirmojnë një rënie të importeve të grurit (që përdoret si lëndë e parë nga industria vendase përpunuese) dhe rritje të importeve të miellit të gatshëm, teksa çmimi për kg i miellit që hyn në Shqipëri nga Serbia ka rënë ndjeshëm dhe është dukshëm më i ulët se ai që hyn nga shtetet e tjera si Greqia, apo Italia.

Administratorët e sipërmarrjeve përpunuese shqiptare lajmërojnë se situata është përkeqësuar edhe më tej në 2017-n. Shoqata e industrisë së Përpunimit të Miellit raportoi se së paku 50 linja të përpunimit në vend kanë mbyllur aktivitetin gjatë dy viteve të fundit dhe situata po vështirësohet për operatorët e mëdhenj. Punësimi në sektor është reduktuar ndjeshëm, teksa i gjithë zinxhiri i lidhur me këtë industri është vënë në vështirësi për shlyerjen e kredive. Nga ana tjetër, konsumatorët janë tërësisht të ekspozuar nga mungesa e thellë e standardit. Mielli serb me standard proteine 9% nuk mund të bëhet bukë pa ndihmën e disa aditivëve që janë të rrezikshëm për shëndetin. Duke shpjeguar këtë situatë, Adi Haxhiymeri, kryetar i Shoqatës së industrisë Përpunuese të Miellit, tha se nëse qeveria shqiptare nuk ndërhyn deri në fund të vitit për të ndaluar konkurrencën e pandershme, situata do të përkeqësohet dhe falimenti do të përfshijë edhe fabrikat e mëdha të blojës. Bloja, fabrika nën zotërimin e zotit Haxhiymeri vitin që shkoi pa rënie të xhiros vjetore me 61%.

Edhe operatori tjetër i madh i tregut, Miell Tirana, vitin e kaluar e mbylli bilancin me rënie të shitjeve 12%, teksa aktiviteti është përfshirë në një trend rënës së paku katër vitet e fundit. Administratori i Miell Tirana, Roland Hysi, tha se industria e blojës, si asnjëherë tjetër, është përfshirë nga një konkurrencë e pandershme e importeve që së pari janë një rrezik për konsumatorin. Zoti Hysi tha se aktiviteti i tij është vënë në vështirësi, duke lajmëruar se, nëse nuk merren masat e duhura në kohë, ai mund ta zhvendosë aktivitetin në fushën e importit.

Në të njëjtën situatë është përfshirë edhe fabrika tjetër e përpunimit të miellit Atlas, e cila për të njëjtat arsye është futur në cikël rënës. Të ardhurat nga shitjet e Atlas pësuan rënie vjetore me 23% më 2016, sipas të dhënave nga bilanci të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Dimitrios Thomoglou, një nga aksionerët kryesorë të Atlas dhe njëkohësisht administrator i saj, pohoi pak kohë më parë se importet e miellit pa standard nga Kosova kanë bërë që fabrika e tij të punojë vetëm me 40% të kapacitetit.

Nga ana tjetër, qeveria është përfshirë në një proces të thellë ristrukturimi dhe mbrojtja e interesave të industrisë së blojës duket se nuk do të jetë prioriteti i parë. Më herët, Ministria e Bujqësisë dhe Dogana kanë refuzuar të japin të dhëna rreth mungesës së standardeve të miellit që vjen nga Serbia.

Share Button