Metin Izeti: Shkrimtari dhe publicisti Akif Emre, një mendje pa pranga

Me rastin e vdekjes së shkrimtarit dhe publicistit turk Akif Emre, i cili ndërroi jetë mëngjesin e ditës së djeshme, profesor në Universitetin Shtetëror të Tetovës (USHT), Metin Izeti, për Anadolu Agency (AA) theksoi se “të gjithë ata që e njohën u tronditën me vdekjen e tij, sepse Akif Emre ishte mik, dashamir dhe erudit i kulturës dhe shkrimit”.

Izeti thotë se Akif Emre ishte i kalitur jo vetëm në faqet e librit, por edhe në gjethet e përvojës të cilat shpeshherë ishin vyshkur edhe nga kushtet politike të diktuara edhe nga miqtë e tij.

“Ai ndiente një afërsi të pashoq ndaj trojeve shqiptare dhe pothuajse në çdo katrahurë shoqërore në viset tona ai ishte i pari që interesohej dhe shkruante për realitetin dhe të vërtetën e proceseve shoqërore në viset shqiptare. Shtëpia botuese Logos-a e ka botuar veprën e tij ‘Gjurmët’, ndërsa vepra tjetër ‘Fletore pa vija’ është në përgatitje për t’u botuar”, thekson Izeti.

Izeti në vijim shprehet se ata që i kanë lexuar veprat e tij, si dhe i kanë ndjekur shkrimet e tij në shtypin turk e dinë mirë që arsyeja e tij e ndritur nuk i duronte prangat e autoritaritetit, por gjithnjë ishte me të vërtetën dhe për të vërtetën.

“Me shumë keqardhje i shkruaj këta rreshta, pasi e ndjej veten se jam futur në amullinë e hapësirës tonë ku njerëzit i duam vetëm pasi që të vdesin. Por, ama edhe nuk munda që të mos them disa fjalë, veçanërisht për shkak se ai ishte një nga të rrallët i cili nuk e prangoste arsyen e tij për interesa të kësaj bote”, potencon Izeti.

Profesori universitar Metin Izeti, duke theksuar se Akif Emre gjithnjë udhëhiqej nga e vërteta dhe nuk e frikësonin dertet e sikletet me të cilat do të ballafaqohej në këtë rrugë, shton se: “Ta them të drejtën dita ditës më shumë e më shumë përmallohemi për njerëz të tillë. Para disa viteve ishim në një konferencë bashkë dhe unë pata folur me entuziazëm për një koncept shoqëror, ndërsa ai në fund të bisedës, si sot më kujtohet, më pat thënë: ‘a vërtetë mendon se bëhet kështu a?’. Ndoshta edhe kishte të drejtë”.

Izeti vlerëson se Akif Emre ishte një gazetar i këndueshëm dhe i dashur tek lexuesit dhe nuk udhëhiqej nga bezdia e aktualitetit, por gjithnjë kishte, siç thotë ai, thellësi dhë shpirtërore për ta parashikuar dhe në një mënyrë modifikuar të ardhmen.

“Nuk lodhej shumë nga pushtetarët. Dinte rreptë t’i kritikojë edhe ata që i kishte shokë dhe tash ishin në pushtet. Kritika e tij nuk ishte rrënuese por ndërtuese. Mendimet i kishte të qarta dhe elokuente. Jam i bindur se do të më merr malli për bisedat me të përplot me sinqeritet dhe dashuri për të vërtetën”, përfundon Izeti, duke iu drejtuar veprimtarisë së shkrimtarit dhe publicistit turk Akif Emre.

Kujtojmë se si rezultat i një sulmi kardiak, mëngjesin e të martës në moshën 60 vjeçare ndërroi jetë Akif Emre, i cili në opusin e veprimtarisë së tij ka përfshirë edhe vendet e rajonit të Ballkanit. Akif Emre njihet për interesin që ka treguar ndaj vendeve të rajonit të Ballkanit. Vitin e kaluar ai ka botuar librin i cili është në përgatitje të botohet edhe në gjuhën shqipe. Autori aty flet për qytetet e Ballkanit, për Andaluzinë, Bagdadin dhe të tjera. Akif Emre një pjesë të këtij libri e titullon “Ramazani në Shkup”, ku flet për momentet e këndshme të Ramazanit në lagjen e Gazi Babës dhe ezanet e Çarshisë. Krahas kësaj, libri tjetër i Akif Emre, “Gjurmë”, gjendet i përkthyer në gjuhën shqipe.

Share Button