Metamorfoza e rrallë: Kur xhamia e Durrësit, më e madhja në Shqipëri, u shndërrua në ‘Pallat Rinie’

Furia ideologjike për “ç`rrënjosjen” e besimit fetar shoqëruar me nxjerrje jashtë ligji të ushtrimit të besimit, nisi nga Durrësi; dhe ngjan kuptimplotë fakti që pikërisht në këtë qytet, ajo që mbahej si xhamia më e madhe në Shqipëri, të pësonte një metamorfozë të pazakontë: shndërrimin në ‘Pallat Rinie’.
Por duhet thënë se po të njëjtën metamorfozë pësuan dhe objekte të tjera të kultit, ku një Kishë e madhe dhe historike në Shkodër u bë pallat sporti, e të tjera si këto përfunduan si vatra kulture, shtëpi pioneri, deri dhe në magazina drithi.

Por rasti i Durrësit është paksa i veçantë, pasi ajo xhami ishte në krye të vendit, siç është dhe sot. Ndërkohë që shndërrimi i saj në ‘Pallat Rinie’, i dha kësaj të fundit një pozitë të privilegjuar urbane gjatë viteve të komunizmit, falë pozitës që gëzonte dhe vetë xhamia.

Xhamia e Durrësit është ndërtuar në vitin 1938, ndërsa është mbyllur më 6 shkurt të vitit 1967. Që prej atij viti e deri në `90-ën, aty u konsumua art dhe kulturë e realizmit socialist, në funksion të lumturisë tokësore që e garantonte komunizmi. Shumë prej artistëve të njohur durrsakë, dolën prej aty dhe natyrshëm kanë nostalgji për atë kohë e atë pallat, por kjo nuk i rreshton ata kah aktit të parpreçedent të atij regjimi për t`i shndërruar objektet e kultit të besimit në qendra argëtimi, edhe pse kulturor.

Nga “Rinia” e dikurshme, veç fotove të godinës u gjet dhe kjo që mban nënshkrimin e biletashitësit të këtij pallati. Foto është mbi një ftesë veprimtarie që është bërë më 18 prill 1983. Dhe është një dhuratë e biletashitësit të këtij pallati Thoma Llaci mbi të cilën ai ka shkruar: “Ju a jap si kujtim si ish punonjës prej 20 vjetësh ‘Pallatit Rinia’- Thoma Llaci”.

Foto me këtë mbishkrim me siguri ka qënë një dhuratë që biletashitësi ja ka bërë dikujt në fillim të viteve 90-të, periudhe kur edhe ‘Pallati Rinia’ është çmobilizuar nga funksioni që i kishte dhënë koha e sistemit socialist, për t`u rikthyer në destinacionin bazë, për adhurimin e Zotit nga ana e myslimanëve.

xhamija 18-prill-1983-me-rastin-e-15-vjetorit-nga-biletashitesi sheshi-i-xhamise-100-vite-me-pare sheshi-ku-u-ngrit-xhamija

Share Button