Meta: Vlerësojmë gjithçka që Turqia ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët

Kronika/Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavusoglu vizitoi Shqipërinë dhe takoi presidentin Ilir Meta.

Ditën e djeshme Shqipëria është vizituar nga ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavusoglu, në kuadër të ceremonisë së ndarjes së Çmimeve “Mehmet Akif Ersoy” në Shkencë dhe Art. Çavusoglu është nderuar me çmimin “Doctor Honoris Causa”, ndërsa në ceremoni ishte i pranishëm edhe presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta. Pas marrjes së çmimit, Çavusoglu ka mbajtur një fjalë përshëndetëse, ku vlerësoi marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë e tha se mbështetja e shtetit turk për Shqipërinë do të vazhdojë të jetë maksimale. Ndërkohë, presidenti Meta deklaroi se Shqipëria vlerëson gjithçka që Turqia ka bërë për vendin tonë, në veçanti në këto tre dekadat e fundit. Ai po ashtu shprehu mirënjohje për ndihmën dhe asistencën teknike që Turqia i ka dhënë Shqipërisë në shumë aspekte. “Ne vlerësojmë gjithçka që Turqia ka bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët, në veçanti në këto tre dekadat e fundit dhe jemi thellësisht mirënjohës për këtë.

Jam i bindur se falë këtyre marrëdhënieve të shkëlqyera dhe lidhjeve të forta historike e ndër-njerëzore, e ardhmja miqësore dhe vëllazërore e bashkëpunimit mes dy vendeve tona do të jetë edhe më e fortë, edhe më e sigurtë, edhe më e qëndrueshme”, deklaroi Meta. Kreu i Shteti nënvizoi se Turqia ishte ndër vendet e para që mbështeti rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të Shqipërisë në fillim të viteve 90-ta, duke përmendur më tej edhe se “në memorien e shqiptarëve është gdhendur fortë roli shumë domethënës i Turqisë për afirmimin dhe pavarësinë e Kosovës dhe për njohjen e saj ndërkombëtare”.

Ai shprehu bindje se Shqipëria dhe Turqia, si dy vende miqësore, këto sfida të mëdha mund t’i përballojnë vetëm duke bashkëpunuar më fortë dhe më ngushtë me njëri-tjetrin. “Të dy vendet jo vetëm që janë anëtare të NATO-s, por janë edhe kontribues aktive në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, që është një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë e vendeve tona dhe për prosperitetin e qytetarëve tanë”, tha Meta.

Share Button