Meta bashkëbisedim me fëmijët romë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka marrë pjesë në aktivitetin “Fëmijët bisedojnë me politikanët” që Kuvendi i Shqipërisë ka organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare Rome. Ky aktivitet, që u mbajt në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, u zhvillua në bashkëpunim me Qendrën për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – CRCA, Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare – YWCA, Observatorin për të Drejtat e Fëmijëve, Ministrinë e Arsimit dhe Sportit si edhe me mbështetjen e UNICEF. Në takim ishin ftuar edhe deputetë nga Komisioni i Çështjeve Ligjore, komisioni i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë, nën/komisioni i të Drejtave të Njeriut dhe nën/komisioni i të Miturve, barazisë gjinore dhe dhunës në familje, si edhe përfaqësues nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit e Sportit, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Brendshme, etj.Kryetari i Kuvendit ka bashkëbiseduar me fëmijët e komunitetit rom të pranishëm dhe u është përgjigjur pyetje të ndryshme që ata i drejtonin. Gjatë bashkëbisedimit me z. Meta, fëmijët kanë ndarë shqetësimet mbi problematikat si edhe rastet e suksesit të integrimit të komunitetit rom në shoqëri. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit ka vizituar edhe një ekspozitë me foto dhe piktura të realizuar nga fëmijët e këtij komuniteti. Ndërkaq, një grup me përfaqësues nga komuniteti rom kanë vizituar sallën e seancave plenare, ku janë shoqëruar nga punonjës të Kuvendit të Shqipërisë. Ata kanë drejtuar pyetje dhe janë interesuar për mënyrën e funksionimit të seancave plenare, si duhet vepruar për të ndjekur punimet e parlamentit dhe punimet e komisioneve parlamentare, etj. Gjithashtu, nga përfaqësuesit e komunitetit rom u lexua edhe një letër e hapur që i drejtohej Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta dhe Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj.

Share Button