Mësime për islamin në shkollat publike të Spanjës

Qeveria e Spanjës ka shpalosur planet e saj lidhur me një program edukativ për mësimin e fesë islame, i cili do të promovojë një Islam të moderuar nëpër shkolla dhe në anën tjetër do t’i kundërvihet ekstremizmit islamik.

Udhëzimet e reja, të aprovuara nga Ministria për Edukim e Spanjës, janë në përputhje me nenin 27.3 të Kushtetutës e vitit 1978 të Spanjës. Këto udhëzime janë publikuar më 18 mars në Buletinin Zyrtar del Estado dhe gazetën zyrtare të shtetit.

Sipas Institutit Gatestone, këto udhëzime kanë për qëllim nxitjen e interesimit për tekstet fetare dhe kulturore islame tek nxënësit, prindërit e të cilëve janë myslimanë.

Sipas Kushtetutës, “Shteti u garanton prindërve të drejtën që fëmijët e tyre të marrin mësime fetare dhe edukim moral, që përkon me bindjet e tij.”

Soeren Kern, analiste e cila shkruan për Gatestone Institute, thotë se udhëzimet janë përgatitur me qëllim të parandalimit të fëmijëve myslimanë nga zhytja në ekstremizëm, duke i eksponuar ata ndaj një interpretimi të moderuar të islamit.

Zbatimi i këtij programi i cili pritet të aplikohet në mbarë Spanjën, i cili pritet të jetë më i madhi në Evropë, do të përfshijë edukimin fetar të 300.000 fëmijëve mysliman, të moshave prej 3 deri 18 vjet.

Në udhëzimet e reja për mësimin e fesë islame në shkollat publike të Spanjës, parashihet që mësuesit do të përzgjidhen nga Komuniteti lokal Islam, ndërkaq tekstet shkollore të cilat do të përdoren, do të sigurohen nga komunitetet përkatëse dhe të aprovohen nga Komuniteti islam i Spanjës.

Përcaktimi i kurikulës si dhe matja e arritjeve po ashtu pritet të jetë kompetencë e autoriteteve fetare.

Fëmijët do të jenë të inkurajuar të përvetësojnë vlerat e Profetit Muhamed si dhe do të studiojnë për arritjet e civilizimit islam.

“Nxënësit parashkollor (moshat 3- 6) do të mësojnë shehadetin, se “nuk meriton të adhurohet askush me të drejtë përveç Allahut, dhe se Muhammedi është i Dërguari i Tij i fundit.”

Në shkollën fillore (moshat 6-12), urdhëresa thërret për nxënësit të njohin Muhamedin si i Profeti i fundit nga Allahu dhe ta pranojnë atë si më të rëndësishmin prej të gjithë Profetëve tjerë.”

Me avancimin e nxënësve në studimet religjioze, atyre do t’u prezantohet një sërë vlerash njerëzore, përfshirë bashkëjetesën, diversitetin, barazinë, të drejtat njerëzore, përfshirjen, integrimin, edukimin ndërkulturor, dialogun ndërfetar, moderimin, pluralizmin, liritë fetare, respektin dhe tolerancën.

Qëllimi i vërtetë i projektit është të parandalojë fëmijët nga përfshirja në terrorizëm.

Share Button