Merkel vizitë në Shtëpinë e Bardhë, takim me Trump

Presidenti amerikan Donald Trump dhe kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel do të takohen në Uashington me 14 mars. Temat kryesore që pritet të diskutohen do të jenë e ardhmja e NATO-s dhe konfliti në Ukrainë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se për këtë takim ka shumë entuziazëm në të dyja anët e oqeanit.
Gjatë fushatës presidenciale, zoti Trump e kritikoi kancelaren Merkel për “prishjen e Gjermanisë”, me politikat për pranimin e një numri të madh refugjatësh.

Zonja Merkel e ka kritikuar presidentin Trump për ndalimin e përkohshëm të udhëtimeve, duke thënë se nuk ka asnjë justifikim për vendosjen e njerëzve nga një origjine e caktuar ose besimi fetar nën dyshim të përgjithshëm.
Stephen Szabo, drejtor ekzekutiv i Akademisë Transatlantike, thotë se zonja Merkel po vjen në Shtëpinë e Bardhë e shqetësuar se presidenti Trump mund të tregohet i butë ndaj Rusinë dhe do të minojë regjimin e sanksioneve që ajo vetë hartoi pas pushtimit rus të Ukrainës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, analisti Szabo tha se gjëja më e keqe për solidaritin perëndimor do të ishte zbutja e sanksioneve amerikane ndaj Rusisë pa ndonjë progres në Ukrainë.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Sean Spicer u përpoq të premten për të lehtësuar këto shqetësime, duke u thënë gazetarëve se çdo përpjekje për të minuar sanksionet që ekzistojnë për shkak të aneksimit të Krimesë nuk do të lejohet deri sa çështja të zgjidhet.

Share Button