Meksikë, rëndohet bilanci i viktimave nga tërmeti

Tërmeti më i fortë prej një shekulli në Meksikë goditi bregdetin jugor të vendit, duke vrarë të paktën 58 persona e plagosur të paktën 200 të tjerë, ndërsa presidenti Enrique Pena Nieto tha se bilanci makabër s’është ende përfundimtar.

Lëkundja sizmike prej 8.2 ballësh e kishte epiqendrën në Paqësor, rreth 90 km në jugperëndim të zonës së Pijijipanit.

Pas tërmetit, i menjëhershëm ishte alarmi për cunami, por fatmirësisht nuk u verifikua asnjë i tillë.

“Fatkeqësisht ka raporte për viktima dhe dëme të mëdha materiale, të cilave nuk i vendosim dot ende një shifër. Këtë do ta bëjmë në orët dhe ditët në vijim, kur të jenë më të qarta pasojat e tërmetit”, tha Enrique Pena Nieto, presidenti i Meksikës.

Tërmeti shkaktoi panik mes popullsisë dhe njerëzit vrapuan të tmerruar në rrugë, ndërsa lagje të tëra mbetën në errësirë për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike. Lëkundja e fuqishme e tokës zgjati thuajse një minutë.

“Nuk e kisha ndierë ndonjëherë në jetën time tokën të lëkundej në atë mënyrë. Ishte e frikshme”, tha një banor.

“Ishte e tmerrshme e mendova se ndërtesa do të shembej e do të na zinte brenda”, tha një tjetër banor.

Pas lëkundjes kryesore, u regjistruan edhe disa lëkundje dytësore, më e forta e të cilave 5.7 ballë. Si të mos mjaftonte një e keqe e madhe, vendi kërcënohet tani në bregun e tij lindor nga uragani “Katia”, i cili po afrohet me erëra që mbërrijnë shpejtësinë 140 km/h

Share Button