Mbytja me dashje, trendi i frikshëm i trafikantëve

Plot 55 emigrantë të tjerë humbën jetën, pasi u mbytën me dashje nga trafikantët.

Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin tha se ngjarja ndodhi pasi anija ishte larguar nga brigjet e Jemenit, e trafikantët detyruan rreth 180 njerëz që të hidheshin në det.

Ky është incidenti i dytë i tillë në po kaq ditë. Rreth 50 emigrantë humbën jetën të mërkurën, pasi u hodhën nga anija nga trafikantët që donin t’i shpëtonin arrestimin.

Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin, ekspërtët druhen se ky mund të jetë një trend i ri. Zyrtarë të IOM-së thanë se trafikantët e njerëzve e dinë shumë mirë se për ta situata është e rrezikshme dhe mund të qëllohen pa paralajmërim, prandaj i hedhin emigrantët në det pa mbërritur në breg.

Nga incidenti tragjik i së enjtes janë gjetur vetëm 5 trupa dhe rojet bregdetare thonë se 50 të humburit tashmë konsiderohen të vdekur.

Share Button