Mbi 90 për qind e votuesve mbështetën pavarësinë e Katalonjës

Qeveria rajonale e Katalonjës ka njoftuar se 90 për qind të katalanasve që votuan në referendumin e mbajtur të dielën kanë mbështetur pavarësinë e këtij rajoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Jodi Turull, zëdhënës i Qeverisë rajonale të Katalonjës deklaroi se rreth 90 për qind të votuesve (2.020.144) kanë votuar për pavarësi, 176.565 votues kanë qenë kundër, 45.586 fletëvotimi kanë qenë të zbrazëta, ndërsa 20.129 kanë qenë të pavlefshme.

Ai theksoi se prej 2.315 vendvotimeve policia ka mbyllur 400 prej tyre. “Duhet të vërtetojmë dëmin material dhe individual. Qeveria në tërësi u jep mbështetje 844 personave të cilët kanë qenë të sulmuar”, tha Turull.

Ndonëse policia mori urdhër që të përmbahet nga përdorimi i forcës, janë lënduar më shumë se 760 persona. Autoritetet katalanase pohojnë se policia ka përdorur edhe gaz lotsjellës për të shpërndarë mbështetësit e referendumit të cilët rezistonin duke mbrojtur vendvotimet.

Nuk pritet që Qeveria spanjolle të ndërmarrë çfarëdo hapi për njohjen e rezultateve të referendumit.

Share Button