Mbi 200 milionë të papunë në botë

Papunësia në nivel global është rritur me 3.4 milionë këtë vit, duke e çuar numrin e personave të papunë në mbi 200 milionë, flasin të dhënat e Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO), raporton Anadolu Agency (AA).

“Mbi 201 milionë përsona të aftë për punë, aktualisht janë të papunë, një rritje me 3.4 milionë krahasuar me vitin 2016”, thuhet në buletinin e ILO-s.

Organizata thekson se kompanitë, në veçanti ato të vogla dhe të mesme (KVM) kanë luajtur një rol të rëndësishëm në krijimin e vendeve të punës.

“Në periudhën mes viteve 2003 dhe 2016, numri i të punësuarve me orar të plotë brenda këtyre kompanive është dyfishuar, një rritje nga 31 në 35 për qind”, thotë ILO.

“Sidoqoftë, gjatë vitit të kaluar, kontributi i tyre ndaj punësimit total ka stagnuar. Mes viteve 2015 dhe 2016, kontributi i kompanive të vogla dhe të mesme në punësimin në nivel global mbeti praktikisht i pandryshuar, duke u rritur nga 34.6 në 34.8 për qind”, thuhet më tej.

Për sa i përket numrit të të punësuarve, në ekonomitë në zhvillim, kompanitë e lartpërmendura përfshijnë 52 për qind të numrit të të punësuarve, ndërsa në ekonomitë e zhvilluara ato punësojnë 41 për qind.

“Shkalla e papunësisë në nivel global, aktualisht qëndron në 5.8 për qind, dhe nuk pritet ndonjë ulje në periudhën e ardhshme”, tërheq vërejtjen ILO.

“Pavarësisht nga disa përparime të bëra gjatë dekadave të fundit, gati 780 milionë punëtorë në vendet potancialisht në zhvillim dhe në ato në zhvillim, (që korrespondon me çdo të tretin punëtor) ende jetojnë në kushte të varfërisë ekstreme ose të moderuar”, tha raporti.

Për sa i përket sektorit privat, Organizata Ndërkombëtare e Punës thotë se i njëjti gjatë vitit 2016 ka punësuar 2.8 miliardë persona në rrafsh global, që është 87 % nga totali.

Share Button