Mbahet seminari profesional “E ardhmja e medias digjitale”

Për herë të parë në  Shqipëri u organizua një seminar profesional, me pjesëmarrjen e ekspertit të komunikimit Z. Sanjai Salil, njëkohësisht drejtor i MediaGuru, një prej institucioneve më të rëndësishme në fushën e këshillimit dhe trajnimit për veprimtarinë mediatike.

Ditën e hënë, me 28 prill, në mjediset e Hotel Tirana International u zhvillua seminari me temë “E ardhmja e medias digjitale (Sfidat dhe përfitimet)”, si fryt i bashkëpunimit mes radio Kontaktit dhe MediaGuru.  Për herë të parë në vendin tonë u zhvillua një seminar i këtyre përmasave me pjesëmarrjen e një sërë gazetarësh, profesorësh e studentësh të shkencave të komunikimit nga universiteti i Tiranës.

Seminari “E ardhmja e medias digjitale (Sfidat dhe përfitimet)” u zhvillua me synimin e qartësimit të procesit të digjitalizimit, pjesë e të cilit do të jetë edhe media shqiptare. Takimin e hapi drejtoresha e radio Kontaktit, znj. Jolanda Lila, e cila theksoi se institucioni që ajo drejton, përvec veprimtarisë emetuese, shquhet edhe për trajnimet profesionale dhe seminaret për gazetarinë. Në këtë kuadër vjen edhe seminari që organizohet në bashkëpunim me MediaGuru.

Më tej, ligjëruesi i seminarit, Sanjai Salil, i cili erdhi në Shqipëri enkas për këtë veprimtari dritësoi për të pranishmit konceptin e digjitalizimit si në aspektin teknik ashtu edhe në  atë përmbajtësor, duke paraqitur deri në trajta shteruese shpjegimin për të ardhmen e medias në të gjithë globin. Ai demonstroi shembuj suksesi të kompanisë MediaGuru, një prej institucioneve më të njohura ndërkombëetare që ofrojnë konsulencë dhe shërbime në fushën audio-vizive në katër vende të botës: Indi, Dubai, Singapor dhe Sudan. Ky institucion pritet që të shtrijë filialet e veta së shpejti edhe në Evropë dhe Ballkan.

Sanjai Salil, në cilësinë e  ekspertit të komunikimit, shpjegoi në mënyrë të detajuar sesi mund të përfitojmë prej avantazheve të teknologjisë dhe prej formateve origjinale mediatike. Një prej orientimeve të tij kryesore për mbijetesën dhe përfitimin nga puna në media ishte hapja e kanaleve tërësish programore, të cilat fokusohen vetëm në një aspekt të veprimtarisë njerëzore, për shembull tek sporti, muzika, filmat artistikë, filmat për fëmijë, dokumentaret etj. Ai tregoi se media tashmë po shkon drejt digjitalizimit dhe theksoi se media digjitale i përshtatet më së miri publikut, sepse vetë ai zgjedh se çfarë do të shikojë, kur dhe ku. Sipas tij, kjo është e ardhmja e medias dhe avantazhet që të ofron teknologjia e platforma digjitale.

Me ligjëratën e tij, drejtori i MediaGuru mbajti të mbërthyer gazetarë dhe studentë të Shkencave të Komunikimit, të cilët në fund nuk ngurruan të drejtojnë një sërë pyetjesh në lidhje me paqartësitë e tyre me çështje të ndryshme të gazetarisë.

 

 

 

Share Button