Mbahet seminari për bioetikën fetare

Të premten, me 23 tetor, u mbajt në Tiranë seminari: “Bioetika në këndvështrimin islam”, i organizuar nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam (AIITC), në kuadër të Akademisë AIITC “Popuj dhe kultura”. Në këtë seminar merrnin pjesë personalitete të fushave të ndryshme nga Shqipëria dhe nga vende të tjera të Ballkanit e më gjerë.

Ligjëruesit e seminarit hodhën dritë mbi koncepte me të cilat spekulohet shpesh në emër të fesë me formën e interpretimit të tyre, të tilla si: eutanazia, dhurimi e transplantimi i organeve, aborti, planifikimi familjar dhe aspekte të tjera që vijojnë të jenë te debatueshme në shoqëri.

Në fjalën e hapjes, organizatori i këtij seminari, Dr. Ramiz Zekaj, theksoi rëndësinë e njohjes së etikës biomjekësore në Shqipëri, veçanërisht për çështje që lidhen me riprodhimin e njeriut dhe me dhurimin apo transplantimin e organeve, çështje të cilat shihen nën dritën e perspektivës islame.

Gjithashtu, ai falënderoi studiuesit pjesëmarrës në seminarin informues dhe çmoi kontributin e tyre në fushën e bioetikës.

Një ndër ligjëruesit kryesorë të këtij seminari ishte Prof. Dr. Omar Hasan Kasule, i doktoruar për epidemiologji nga Universiteti i Harvardit dhe profesor i lëndës “Bioetika Islame” e njëherësh edhe Kryetar i Komitetit të Etikës në King Fahad Medical City në Rijad – Arabi Saudite.

Gjatë fjalës së tij, profesor Kasule bëri ekspoze kronologjike të stadeve të evoluimit të mendimit bioetik islam, ku përmes klasifikimit në tre periudha kryesore shpërfaqi edhe karakteristikat dalluese për secilën periudhë.

Ai u ndal në mënyrë të veçantë tek çështjet e planifikimit familjar, ku theksoi se Islami e lejon kontraceptimin për sa kohë që ai nuk kërkon shkëputjen rrënjësore të martesës nga funksionet e veta riprodhuese.

Sipas tij, edhe metodat natyrale, edhe ato artificiale janë të pranueshme me kusht që ato të mos funksionojnë si abortim.

Kjo pasi Islami e sheh abortin si krejt të ndryshëm nga kontraceptimi, përderisa ai nënkupton dhunimin e jetës njerëzore është i papranueshëm.

Në këtë kuadër profesor Kasule u ndal edhe tek çështja e rrjedhës kohore të gjidhënies, ku periudha 2-vjeçare shihet si ideale për ushqyerjen e fëmijës me gji.

Nën perspektivën e konceptit fetar u sqaruan edhe çështjet e eutanazisë, transplantimit të organeve etj, ku u theksua rëndësia e jetës njerëzore në çdo situatë.

Seminari u mbyll mes shumë diskutimesh nga të pranishmit dhe me pyetje-përgjigje për situata e çështje të prekura nga afër.

 

 

Share Button