Mbahet leksioni “Aftësitë e prezantuesit në radio”

Të premten, me datë 24 prill, u zhvillua leksioni i radhës i kursit trajnues “Njohuri praktike mbi gazetarinë”,  me temë “Aftësitë e prezantuesit në radio”, i cili kishte në fokus teknikat dhe specifikat që duhet të zotërojë çdo folës radiofonik.  Nën drejtimin e lektoreve, dr. Jolanda Lila, drejtoreshë e radio Kontaktit dhe Marsida Simo, përgjegjëse për programacionin pranë kësaj radio, studentët patën mundësi të zgjeronin njohuritë e tyre për trajtat kryesore të prezantimit në radio. Ky trajnim i radhës ishte i veçantë, pasi pjesëmarrësit prezantuan punën e tyre praktike, e cila konsistonte në hartimin e një edicioni informativ dhe regjistrimi në studion e radios, sipas deontologjisë gazetareske. Pjesëmarrësit patën mundësi të dëgjonin në versionin audio edicionet përkatëse, si dhe të komentonin rezultatet e punës së tyre.
Opinioneve të tyre iu bashkangjitën dhe komentet e këshillat profesionale të  lektoreve, komente që u  përqendruan  kryesisht në strukturimin e lajmit, ritmin, renditjen dhe mënyrat e transmetimit të tij. Gjatë analizës së bazuar tek praktika, dolën në pah elemente teorike që kishin të bënin me transmetimin e lajmeve për të cilët u pasqyrua një leksion në formën e këshillave që studentët të mund të merrnin më të mirën. Analiza me bazë praktikën ishte tepër efikase dhe interesante, pasi i ndihmoi studentët të shihnin më dukshëm elementët që duhej të përqëndroheshin për t’i përmirësuar. Kursi trajnues do të vijojë edhe për dy javë të tjera, ku pritet të trajtohen metodologji të punës në televizion.

Share Button