Mashtrim shumëmilionësh me Tamiflunë

Qindra milionë paundë kanë shkuar dëm për blerjen e ilaçeve kundër gripit, por që funksionojnë as më më pak e as më shumë njëlloj si paracetamoli, thotë një analizë e ndërmarrë nga ekspertët britanikë.
Britania e Madhe ka shpenzuar 473 milionë paundë për blerjen e Tamiflu-së një ilaç që u grumbullua në magazina në të gjithë botën si masë ndaj një epidemie të mundshme të gripit. Agjencia Cochrane Collaboration pretendon se ilaçi nuk parandalon përhapjen e gripit e nuk redukton komplikacionet e rrezikshme që vijnë prej tij, por vetëm sa lehtëson simptomat. Prodhuesi farmaceutik, Roche dhe ekspertë të tjerë pretendojnë se analiza është e manipuluar. Britania e Madhe nisi grumbullimin e Tamiflu-së që nga viti 2006 kur disa agjenci parashikuan një epidemi të gripit të shpendëve i cili mund të vriste rreth 750 mijë njerëz në Britani. Vendime të tilla u morën edhe nga qeveri të tjera në botë.  Ilaçi u rekomandua edhe gjatë përhapjes së gripit të derrit në vitin 2009. Kompanitë farmaceutike nuk i publikojnë të gjitha të dhënat nga kërkimet e tyre. Raporti më i fundit është rezultat i një beteje kolosale për nxjerrjen e të dhënave të fshehura mbi efikasitetin dhe efektet anësore të Tamiflu-së. Sipas raportit, ilaçi reduktonte zgjatjen e simptomave të gripit nga shtatë ditë në 6.3, tek të rriturit dhe në 5.8 tek fëmijët. Por, thonë autorët, të njëjtin ndikim do të kishte edhe përdorimi i paracetamolit të thjeshtë. Në lidhje me pretendimin se ilaçi parandalonte komplikacionet si pneumoninë, Cochrane thotë se provat janë të pamjaftueshme për të treguar ndonjë efekt të dukshëm.

Share Button