Marrëveshje për gazin Kinë-Rusi

Kina dhe Rusia kanë njoftuar nënshkrimin e një kontrate madhore për furnizimin me gaz natyror. Marrëveshja mes “Gazprom”-it rus dhe Koorporatës Kombëtare Kineze të Hidrokarbureve (CNPC) ka dashur 10 vjet të hartohet. Asnjë çmim zyrtar nuk është bërë i ditur, por përllogaritet që kontrata të kapë vlerën e 400 miliardë dollarëve.
Rusia ka qenë e vendosur në gjetjen e një tregu alternativ energjitik për gazin e saj, pasi është vënë përballë sanksioneve të mundshme të Europës pas krizës në Ukrainë. Aksionet e “Gazprom” janë rritur me 2% në tregjet ruse, pas dhënies së këtij lajmi.Sipas marrëveshjes, priten të dërgohen rreth 38 miliardë metra kub gazi natyror në vit në drejtim të Lindjes, për ekonominë disi të vonuar të Kinës, duke nisur nga viti 2018. Problemi kryesor për t’u zgjidhur ka qenë çmimi, ndaj dhe Kina mendohet të ketë arritur një akord të vështirë. Përgjatë 10 viteve të fundit, Kina ka gjetur edhe furnizues të tjerë gazi, teksa aktualisht Turmenistani është furnizuesi më i madh i huaj i Kinës, ndërkohë që ky vend ka nisur të importojë gaz natyror nga tubacionet e Mianmarit.Një tjetër pikë e rëndësishme ka qenë ndërtimi i tubacioneve drejt Kinës. Momentalisht ka vetëm një gazsjellës të kompletuar që kalon përgjatë Lindjes së Largët të Rusisë drejt kufijve kinezë, i quajtur “Energjia e Siberisë”. Ai nisi në vitin 2007, 3 vjet pasi “Gazprom” dhe CNPC nënshkruan marrëveshjen fillestare në vitin 2004. Por, financimi i kostos prej 22-30 miliardë dollarëve për ta dërguar atë në Kinë ka qenë në qendër të bisedimeve të fundit. Kina është partneri më i madh tregtar i Rusisë, teksa flukset tregtare bilaterale kapën shifrat e 90 miliardë dollarëve në vitin 2013. Dy vendet fqinje synojnë ta dyfishojnë këtë volum, deri në 200 miliardë dollarë në 10 vitet e ardhshme.

Share Button