Mar Saba, manastiri historik në Palestinë që ndalon hyrjen e grave

Manastiri 1.500-vjeçar Mar Saba në afërsi të Betlehemit në Palestinë, sot e kësaj dite ruan shumë tradita të veçanta për këtë manastir. Në kuadër të këtyre traditave, grave nuk u lejohet hyrja në këtë manastir.

Manastiri Mar Saba është themeluar në një maje në afërsi të qytezës Ubejdije, e cila gjendet 20 kilometra në jug të Betlehemit.

Thuhet se një nga personalitetet e rëndësishme të botës së krishtere, Juhana el-Dimashki, ka qëndruar kohë të gjatë në këtë manastir dhe se themelet e shumë ritualeve të Kishës Ortodokse janë hedhur për herë të parë në këtë manastir dhe janë përhapur gjetkë në botë.

– Gratë nuk pranohen në manastir

Në një bisedë për Anadolu Agency (AA), murgu Kelaritosh thotë se është ndërtuar nga ana e Shën Mar Sabasë, i cili së bashku me dishepujt e tij, në fund të shekullit të pestë ka ardhur në këtë rajon.

Si pjesë e traditave të lashta që manastiri ka arritur t’i ruajë, vizitorët e gjinisë femërore, vendase apo të huaja, të cilat arrijnë të ngjiten me vështirësi deri në manastir, nuk pranohen brenda, duke ngelur të detyruar të presin në hyrjen kryesore.

“Gratë nuk mund të hyjnë në manastiret ku ka murgj meshkuj. Për më tepër, ne këtu jemi vazhdimisht të angazhuar me adhurime. Nuk është në rregull që përreth nesh të ketë gra”, shpjegon murgu Kelaritosh.

Sipas një besimi tjetër të përmendur nga banorët e rajonit, hyrja e grave në manastir nuk lejohet pasi që po të hyjnë, do të ndodhë tërmet.

– Vizitorët nuk kthehen duarbosh

Përkundër ndalimit të hyrjes së grave, murgjit nuk i kthejnë duarbosh vizitorët. Vizitorëve u dhurohet një ibrik me ujë nga një burim brenda manastirit për të cilin besohet të jetë i shenjtë, si dhe një degë hurme.

Sipas besimeve, uji i valuar me degë hurme kuron sëmundje të ndryshme. Thuhet se në krye të sëmundjeve për të cilat shpresohet shërim përmes kësaj praktike është steriliteti.

– I shkëputur nga bota e jashtme

Në Manastirin Mar Saba, i shkëputur nga teknologjia dhe komunikimi me botën e jashtme, nuk përdoret as energjia elektrike.

Teofanes, një nga peshkopët e Patriarkanës Ortodokse Greke në Jerusalem i cili jeton në këtë manastir, thotë se 15 murgjit që gjenden në Manastirin Mar Saba nuk merren me asgjë tjetër pos adhurimit.

Ai shpjegon se mijëra persona çdo vit vijnë për ta vizituar manastirin dhe se shumica prej tyre janë nga Rusia, Rumania, Bullgaria, Serbia dhe Greqia.

– 300 mijë vizitorë në vit

Ndërkaq, kryebashkiaku i Ubejdijes, Naxhi Redajde, thotë manastiri, me arkitekturën e brendshme dhe të jashtme, muralet, kalimet dhe shkallët, është një vepër e rrallë artistike.

Ai njoftoi se janë duke zhvilluar punime intensive që manastiri të futet në Listën e Trashëgimisë Kutlurore Botërore të UNESCO-s dhe se vitin e kaluar do të aplikojnë zyrtarisht.

Redajde tha se edhe nga aspekti turistik, manastiri përbën një qendër të rëndësishme.

“Manastiri vizitohet nga 300 mijë vizitorë në vit. Ne presim që kjo shifër të rritet edhe më tej me hyrjen në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s”, theksoi Redajde për AA.

Share Button