Maqedonia në heshtje zgjedhore

Maqedonia ka hyrë prej mesnatës në heshtje zgjedhore, për zgjedhjet e  së dielës ku do të votohet për presidentin dhe parlamentin e ri.

Partitë politike dhe dy kandidatët që janë në garë për president: George Ivanov nga VMRO-DPMNE dhe Stevo Pendarovski nga LSDM, mbyllën dje fushatën zgjedhore dhe nesër 1 milionë 780 mijë e 128 votues do tu drejtohen kutive të votimit.

Zgjedhjet do të të zhvillohen edhe në diasporë, nga ku do të zgjidhen 3 deputetë në 3 njësi zgjedhore: Evropë, SHBA – Kanada dhe Australi. 27 mijë e 828 votues të diasporës do të votojnë sot, së bashku me të burgosurit në vend, personat me aftësi të kufizuara dhe të shpërngulurit brenda vendit.

Zgjedhjet e së dielës do të kenë numër më të madh edhe të vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendor, 9197 vëzhgues vendor dhe 489 vëzhgues të huaj, por pritet që ky numër të jetë edhe më i madh për shkak të vazhdimit të afatit deri në javën tjetër. Ndërkohë SHBA dhe BE kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Zgjedhjet e besueshme dhe transparente janë themel i të gjitha demokracive. OSBE/ODIHR do të bëjë vlerësimin e procesit zgjedhor në tërësi, duke u bazuar në standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin e vendit”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Përfaqësuesit e SHBA-ve dhe të UE-së në Shkup kanë ftuar liderët e partive politike dhe zyrtarët shtetërorë që të sigurojnë një mjedis ku të gjithë qytetarët do të mund të shprehin vullnetin e tyre në mënyrë të lire.

Kjo është hera e parë në Maqedoni që zgjedhjet presidenciale dhe te përgjithshme mbahen në të njëjtën ditë.

Share Button