Maqedoni, panel diskutimi për sigurinë kibernetike

Politika për siguri kibernetike dhe Direktiva 2016/1148 e BE-së, për nivelin e lartë të sigurisë së rrjeteve dhe sistemeve informative, është tema e diskutimit të sotëm në panelin në organizim të Ministrisë për Shoqëri Informatike dhe Administratë, dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Para të pranishmëve të shumtë si pjesë e këtij paneli i cili do të zgjasë gjatë ditës së sotme, foli ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Damjan Mançevski, sipas të cilit, siguria kibernetike nuk duhet parë vetëm nga aspekti klasik teknik, sepse “ashtu siç mbrojmë shtetin në tokë dhe në ajër, njëjtë duhet t’i qasemi edhe mbrojtjes së hapësirës kibernetike”.

Ai tha më tej se incidentet e sigurisë mund të shkaktojnë pasoja serioze në jetën e përditshme të qytetarëve, prandaj shteti duhet të bëjë të pamundurën që të mbroj të dhënat personale të qytetarëve.

“Rritja e spiunazhit ekonomik dhe aktiviteteve kibernetike të sponsorizuara nga shtetet janë nga kërcënimet e reja për qeveritë dhe kompanitë në vendin tonë, por edhe rekrutimi nga organizatat terroriste, përhapja e propagandës dhe organizimi i sulmeve terroriste sot kryhen përmes internetit. Bota po lëviz shumë shpejt përpara prandaj ne duhet ta ndjekim”, tha Mançevski.

Ai theksoi se vitin e kaluar Bashkimi Evropian miratoi direktivën për të mundësuar një nivel të lartë të sigurisë të rrjeteve dhe sistemeve informatike, dhe nga këtu Maqedonia, sipas tij, si një shtet që aspiron për anëtarësim, e ka patjetër detyrim të harmonizojë legjislacionin e saj me atë të BE-së.

Zëvendëskryeministrja e Maqedonisë, njëherësh ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, në fjalimin e saj në hapje të këtij diskutimi, tha se i njëjti paraqet takimin e parë të këtij lloji, sepse realisht siguria kibernetike është një çështje e re në Maqedoni. Bota e re dixhitale tha ajo, ka bërë dixhitalizimin edhe të konflikteve, për të shtuar se pas sulmit kibernetik në Estoni, NATO në vitin 2008 filloi punën në strategjinë e parë kibernetike, sepse siç tha ajo, të gjithë janë të bindur se sulmet e ardhshme mbi NATO-n do të jenë kibernetike.

Sipas saj, NATO është e përkushtuar shumë për të krijuar resurse njerëzore të cilët do të luftojë këtë lloj të krimit, gjë në të cilën Maqedonia çalon, tha ajo. “Dy institucionet kyçe të cilat do të duhet të përgatiten për forcim të sigurisë kibernetike në vend, tashmë janë dakorduar për veprim të përbashkët. Ministria e Brendshme, Ministria e Shoqërisë Informatike dhe ajo e Mbrojtjes po formojnë ekipet e përbashkëta që do të kenë për detyrë të përpilojnë bashkë më NATO-n dhe BE-në strategji kibernetike”, tha Shekerinska, për të shtuar se Ministria e Mbrojtjes dhe Qeveria e Maqedonisë dhanë dritë jeshile që këtë vit në Akademinë Ushtarake të fillojnë studimet postdiplomike në lëmin e sigurisë kibernetike.

Gjatë panelit të sotëm do të ketë prezantime nga përfaqësues nga sektori për krim kompjuterik nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Agjencia për Komunikime Elektronike. Në panel diskutimin marrin pjesë përfaqësues nga Drejtoria për sigurinë e informatave të klasifikuara, Agjencia për aviacion civil, Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore, Oda TIK pranë Lidhjes së Odave të Maqedonisë, Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë, MEPSO, EVN, Telekomi i Maqedonisë, përfaqësues nga bankat në shtet dhe sektori akademik.

Share Button