Maqedoni, BFI: Të ndërpritet terrori ndaj Jeni Xhamisë

Bashkësia Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë (BFI) publikisht kërkoi nga Qeveria e Maqedonisë që urgjentisht të ndërpritet terrori ndaj Jeni Xhamisë, t’i kthehet gjendja e mëparshme dhe të kthehet në pronësi të BFI-së.

BFI konsideron se kjo është çështje serioze në vend, e cila vjen si rezultat i sjelljes së papërgjegjshme të Qeverisë së Maqedonisë ndaj kulturës, traditës dhe arkitekturës islame.

Siç thekson ky institucion, në këtë rast shteti nuk praktikon gjyqin e Republikës së Maqedonisë dhe është uzurpator.

“BFI nuk do të heq dorë nga Jeni Xhamia, për këtë arsye edhe një herë ngre zërin për seriozitetin e këtij problemi. Përderisa shteti nuk tregon dëshirë për zgjidhje të drejtë të kësaj padrejtësie, BFI-ja do të jetë e detyruar që t’i përdorë të gjitha mënyrat dhe mundësitë, që ta kthejë pronën e xhamisë për të shërbyer për atë për çka është ndërtuar, e jo për tu përdorur si ndonjë galeri arti”,- deklaroi Pllumi Veliu, myfti i Manastirit, duke shtuar se BFI-ja do të fillojë me procesin gjyqësor dhe ngritjen e padive kundër pjesëmarrësve në këtë vepër.

Veliu shtoi se për këtë rast do t’iu drejtohet edhe faktorit ndërkombëtar, të tilla si Komisioni Evropian, Kombet e Bashkuara, Këshillit të Sigurimit pranë OKB-së.

Para dy javësh në oborrin e Jeni Xhamisë është paraqitur një tabelë informative, në të cilën shkruhej se fillon restaurimi i Jeni Xhamisë, ndërsa investitor do të jetë Ministria e Kulturës së Maqedonisë.

Me këtë vendim, Veliu shprehet se po përgatitet sulmi i fundit ndaj xhamisë nëpërmjet Entit dhe Muzeut të Manastirit, sepse për të filluar aktivitetet mbi një objekt me trashëgimi kulturore, së pari duhet të kesh leje nga pronari, ndërsa si pronar legjitim i vetëm mbi Jeni Xhaminë është BFI-ja.

Kryetar i BFI-së, Sulejman Rexhepi theksoi se tabela e vendosur në oborrin e xhamisë për restaurimin e saj është provokim ndaj BFI-së nga ana e Ministrisë së Kulturës, ndërsa shtoi se ka informacione se edhe Turqia ka dorëzuar një notë proteste në lidhje me këtë rast, pasi që siç tha ai, ky objekt konsiderohet edhe si trashëgimi kulturore e Turqisë.

Jeni Xhamia është ndërtuar në vitet 1552-1556 dhe deri pas Luftës së Dytë Botërore ka funksionuar për nevojat e besimtarëve mulimanë, ndërsa menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore kjo xhami është uzurpuar nga ana e shtetit të atëhershëm jugosllav komunist.

Anadolu Agency

 

Share Button