Maqedoni: Avokati i Popullit dënon përjashtimin e nxënëseve nga shkolla për shkak të shamisë

Avokati i Popullit në Maqedoni ka dënuar ashpër procedurën e Ministrisë së Arsimit, e cila përmes një shkrese të dërguar ia ka mundësuar drejtorit të Shkollës Fillore “Vëllazërim Bashkimi” (“Bratstvo Edinstvo”) të Ohrit, t’ua ndalojë nxënëseve ndjekjen e mësimit për shkak të mbajtjes së shamive në kokë dhe menjëherë kërkon t’u mundësohet ndjekja e procesit mësimor, raporton Anadolu Agency (AA).

Seksioni i Avokatit të Popullit përgjegjës për marrëdhënie me publikun, në një reagim të shkruar thotë se Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, parashikojnë dhe lejojnë lirinë e besimit fetar dhe lirinë e shprehjes së religjionit, ndërkohë që Konventa për të Drejtat e Fëmijës thotë se liria e manifestimit të besimit fetar mund t’u nënshtrohet vetëm kufizimeve të parashikuara me ligj, të cilat si të tilla nuk janë parashikuar në Ligjin për arsim fillor dhe me rregullat e tjera pozitive ligjore.

“Avokati i Popullit sugjeron nevojën për respektimin konsekuent të ligjeve dhe zbatimin e detyrueshëm të akteve të ratifikuara ndërkombëtare të përmendura më lartë, si pjesë përbërëse të rendit tonë juridik, aq më tepër, nga shkaku se Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë, thotë se ligjet duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën, si edhe të gjitha rregullat e tjera, të cilat bazohen në ligje, të cilat secili e ka për detyrë t’i respektojë”, thonë nga atje.

Reagimi i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës

Pas reagimit të Avokatit të Popullit më reagim doli edhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës të Maqedonisë (MASH). Në regimin e ministrisë thuhet se në adresë të tyre është drejtuar prindi i dy nxënëseve nga shkolla fillore “Vëllazërim Bashkimi” (“Bratstvo Edinstvo”) në Ohër me kërkesë për mendim lidhur me dy vajzat e tij të cilat nuk janë lejuar të ndjekin mësimin nga shkaku i shamisë në kokë.

MASH në përgjigje të letrës theksoi se në përputhje me Ligjin për Arsimin Fillor, arsimi fillor është i detyrueshëm.

Më tej MASH thekson se është nën autoritetin e drejtorit për të organizuar, planifikuar dhe menaxhuar punën e shkollës fillore dhe është përgjegjës për ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve të studentëve.

“Habit keqinterpretimi i letrës së MASH-it se me të njëjtën jepet leje për çfarëdo sjellje të drejtorit ose prindit të nxënëseve. Përkundrazi, MASH-i theksoi detyrimin e ndjekjes së arsimit fillor dhe për kompetencat dhe përgjegjësitë e drejtorit të shkollës për ushtrimin e të drejtave dhe detyrimeve të nxënësve. Gjatë kësaj, kuptohet se të gjithë qytetarët duhet të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet në Republikën e Maqedonisë, përfshirë drejtorët”, thuhet në reagimin e MASH-it.

Share Button