Manovra ushtarake SHBA-Poloni

Forca speciale të ushtrisë amerikane ndodhen në Poloni për manovra të përbashkëta ushtarake me trupat polake.

Manovrat zhvillohen në kuadër të përpjekjeve amerikane për të demonstruar mbështetje për Evropën ndërkohë që vazhdon ballafaqimi i Perëndimit me Rusinë lidhur me aneksimin nga Moska të Krimesë dhe dërgimin e përforcimeve ushtarake pranë kufirit ukrainas.

Avionë amerikanë për transporte ushtarake zbritën në Poloni duke sjellë forca speciale me beretat ngjyrë të kuqërremtë.

Zyrtarët polakë i pritën ngrohtë 150 trupat amerikane, pjesë e Brigadës Luftarake Ajrore 173 e dislokuar në bazën amerikane në Itali.

Në një ceremoni solemne, një bandë ushtarake luajti himnet e të dyja vendeve dhe zyrtarët amerikanë si dhe ata polakë shprehën mbështetjen e tyre në kuadër të bashkëpunimit që ofron aleanca e NATO-s.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha këtë javë se përveç manovrave në Poloni, pritet të dërgojë trupa edhe në Lituani, Letoni dhe Estoni që dikur ishin territore brenda Bashkimit Sovjetik.

Share Button