Madridi refuzon referendumin e Katalunjës

Deputetët spanjollë votuan me shumicë dërrmuese për të hedhur poshtë kërkesën e autoriteteve katalanase të cilat duan të mbajnë referendum për pavarësinë e krahinës më 9 nëntor. Pas shtatë orësh debati, 299 deputetë votuan kundër mocionit, dhe 47 në favor e një abstenoi. Kryeministri i vendit, Mariano Rajoy paralajmëroi se referendumi do të ishte një katastrofë ekonomike si për Spanjën ashtu edhe për Katalunjën. Planet e pavarësimit të krahinës lindore, nga Spanja kanë ndezur në këtë vend muaj të tërë debatesh konstitucionale. Rajoni gëzon një shkallë të gjerë autonomie, por kriza më e fundit në Spanjë ka nxitur nacionalizmin katalunjas.
Të gjitha partitë kryesore në Spanjë, përfshi konservatorët e Rajoy dhe socialistët e opozitës, e kanë kundërshtuar mbajtjen e referendumit, ndërsa partitë nacionaliste baske dhe katalunjase votuan në favor.
Kryeministri Rajoy në fjalën e tij përsëriti argumentin se referendumi do të konsiderohej i paligjshëm, pasi sipas ligjit spanjoll, referendumet për pavarësinë duhet të jenë kombëtare dhe jo rajonale.
Por, pas votimit në parlament, presidenti i Katalunjës,
Artur Mas tha se qeveria rajonale do të vazhdonte përgatitjet siç ishin planifikuar për mbajtjen e referendumit në nëntor.

Share Button