Lirohen vëzhguesit e OSBE-së në Ukrainë

Shtatë vëzhguesit ushtarakë ndërkombëtarë të ndaluar nga separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës janë lënë të lirë, raportojnë mediat ruse.
Vëzhguesit, të lidhur me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, u ndaluan më 25 prill në qytetin e Slovianskut. Sipas njoftimeve mediatike, edhe 5 oficerët ukrainas që ishin bashkë me ta në momentin e ndalimit janë lënë gjithashtu të lirë. Agjencia e lajmeve “RIA” citoi Vladimir Lukin, i dërguari i presidentit Putin për të negociuar lirimin, që thotë: “Të 12 personat që ishin në listën time janë lënë të lirë”. Ndërsa “Associated Press” citoi liderin e rebelëve Vyacheslav Ponomaryov që konfirmonte lirimin. Agjencia njoftoi gjithashtu se një nga gazetarët e saj ka parë një nga vëzhguesit, kolonelin gjerman Axel Schneider dhe përkthyesin e tij ukrainas të lihen të lirë. Liderët perëndimorë kishin dënuar ndalimin e vëzhguesve. Të premten presidenti amerikan Barack Obama bëri sërish thirrje për lirimin e tyre, ndërsa kancelarja Angela Merkel tha se lirimi do të përbënte një hap të rëndësishëm në lehtësimin e tensioneve në rajon. Lajmi i lirimit vjen teksa qeveria ukrainase ka rifilluar aksionet ushtarake për të frenuar avancimin e separatistëve pro-rusë në lindje të vendit.  Ministri i Brendshëm, Arsen Avakov konfirmoi se faza aktive e operacionit vazhdoi në agim, me sulme përreth qytetit Kramatorsk. Ditën e premte, dhjetëra persona humbën jetën nga zjarri që përfshiu një ndërtesë të marrë nën kontroll nga separatistët pro-rusë në Odesa, në jug-perëndim të vendit. Shtetet e bashkuara dënuan dhunën duke e cilësuar atë si “të pakuptimtë”.
Ministri Avakov deklaroi se trupat ukrainase të shtunën kanë marrë nën kontroll kullën televizive në Kramatorsk, që ndodhet pranë bastionit të pro-rusëve të Slovianskut. “Ne nuk do të ndalemi”, deklaroi Avakov në një postim në faqen e tij në Facebook. Sipas tij, pro-rusët kishin sulmuar forcat e armatosura dhe dy ushtarë ukrainas janë vrarë. Ndërsa vetë separatistët deklaruan se viktimat në radhët e civilëve ishin tre.

Share Button