Liga Arabe dënon ligjin e Izraelit për vendbanimet ilegale

Sekretari i Përgjithshëm i Ligës Arabe Ahmed Ebu Gayt ka dënuar ligjin e miratuar nga Parlamenti i Izraelit (Knesset) që legjitimon vendbanimet ilegale hebrenje në Bregun Perëndimor, duke deklaruar se “Ky ligj nuk është asgjë tjetër pos grabitje e pronave private të palestinezëve dhe vjedhje territoresh”, raporton Anadolu Agency (AA).

Përmes një deklarate me shkrim, Ebu Gayt është shprehur se “Ky ligj reflekton synimin e vërtetë të qeverisë së Izraelit, ndërsa me qëndrimin kundër paqes, konkretizon pozicionin jashtëligjor.”

Gayt ka theksuar se tokat e marra përmes ligjit janë prona private të palestinezëve. “Ky ligj nuk është asgjë tjetër pos grabitje e pronave private të palestinezëve dhe vjedhje territoresh. Ligji po ashtu është hallkë e zinxhirit politik që Izraeli ndjek për pengimin e zbatimit të zgjidhjes me dy shtete dhe krijimit të shtetit palestinez”, ka thënë Gayt.

– Qeveria izraelite, “rob i të djathtëve ekstremë”

Sekretari i Përgjithshëm Ebu Gayt ka mbrojtur qëndrimin se qeveria izraelite është bërë plotësisht rob i të djathtëve ekstremë të cilët po ashtu nuk besojnë në zgjidhjen me dy shtete, duke i bërë më tej thirrje ndërkombëtarëve të sillen me përgjegjësi kundrejt këtyre praktikave.

Ndryshe, në seancën e dytë dhe të tretë në Knesset u miratua projektligji që parasheh legjitimimin e vendbanimeve ilegale hebrenje në Bregun Perëndimor.

Jerusalemi Lindor dhe Bregu Perëndimor gjenden nën okupimin izraelit që nga viti 1967. Në Jerusalemin Lindor gjenden mbi 200 mijë kolonë hebrenjë, ndërsa në Bregun Perëndimor mbi 400 mijë. Sipas ligjeve ndërkombëtare, të gjitha vendbanimet kolone hebrenje në këto rajone trajtohen si ilegale.

Share Button