Lidershipi i BE, debat mes kandidatëve

Pesë rivalët për postin më të lartë drejtues të Bashkimit Evropian janë përballur mbrëmjen e së enjtes në një debat ku janë trajtuar çështje si kriza ekonomike, inflacioni, emigracioni dhe tema të tjera kyçe për bllokun. Në debatin e transmetuar live në televizion, kandidatët u përpoqën të bindnin miliona votues evropianë. Liderja e të Gjelbërve, Ska Keller mori duartrokitjet më të forta në Bruksel kur kritikoi sjelljet e bankierëve. Ndërsa katër kandidatët e tjerë ishin Jean Claude Juncker nga Partia Popullore Evropiane, Martin Schulz nga Social Demokratët, Guy Verhofstadt nga Liberalët dhe Alexis Tsipras nga e Majta Evropiane.
Kandidatët kanë mbajtur disa debate të mëparshme, por ky ishte më i madhi. Gjatë diskutimeve, kur u fol për zgjedhjet në BE, ata ranë dakord se nga ana e Unionit duhet një transparencë më e madhe.“Në të kaluarën zgjedhjet evropiane kanë qenë të mërzitshme, por ky debat televiziv ishte pjesë e një drejtimi të ri për transparencë”, deklaroi Schulz. Por, tha ai, votuesit kanë qenë të shqetësuar për çështje si papunësia, që sipas tij ka prekur 27 milionë vetë dhe për kuotën më të lartë në histori të evazionit fiskal. “Ata presin një Evropë tjetër”, tha Schulz.  Ndërsa zoti Juncker tha se Bashkimit Evropian i duhen standardet sociale minimale për punëtorët dhe u ankua se shumë miliarda euro janë keqshpenzuar. Kandidatët ranë gjithashtu dakord se BE duhet të caktojë urgjentisht një politikë të përbashkët mbi emigracionin për të frenuar fluksin e madh të emigrantëve ilegalë.
Ndërkohë, zoti Verhofstadt mori duartrokitje të fuqishme kur tha se Evropa duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar refugjatët sirianë.
Për herë të parë, liderët kombëtarë që zgjedhin kryetarin e Komisionit Evropian do të marrin parasysh rezultatet e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, që do të shpallet më 26 maj. Megjithatë, ata mund të vendosin edhe të mos zgjedhin asnjë nga këta të pestë.

Share Button