Lideri çeçen: Nuk kemi dërguar trupa në Ukrainë

Lideri i Çeçenisë, i mbështetur nga Moska, ka deklaruar se nuk ka dërguar trupa në Ukrainë për të luftuar përkrah separatistëve pro-rusë.
Në një deklaratë, Ramzan Kadyrov ka thënë se, si pjesë e Federatës Ruse, Çeçenia nuk ka forca të armatosura dhe se çeçenët e vetëm që veprojnë në Ukrainë janë atë të personelit civil. “Disa burime ukrainase kanë qarkulluar zëra se njësi çeçene nga Rusia kanë pushtuar Donetskun. Zyrtarisht sqaroj se kjo nuk është e vërtetë”, ka deklaruar Kadyrov. “Çeçenët janë rreth 3 milionë dhe dy të tretat e tyre jetojnë jashtë Republikës Çeçene, shumë prej të cilëve në Perëndim. Ne nuk e dimë dhe nuk mund ta dimë se ku shkon dikush prej tyre”, ka shtuar ai.
Ditën e hënë në lindje të Ukrainës u zhvilluan luftimet më të rënda mes trupave ushtarake vendase dhe separatistëve pro-rusë. Separatistët thanë se humbën 100 luftëtarë teksa përpiqeshin të merrnin nën kontroll aeroportin e Donetskut. Ministri i Brendshëm ukrainas deklaroi se aeroporti aktualisht kontrollohet nga trupat ukrainase, edhe pse edhe gjatë së mërkurës atje janë dëgjuar të shtëna. Një avion ushtarak qeveritar është parë të fluturojë mbi qytet.

Share Button