Liderët evropianë urojnë Merkelin

Pas zgjedhjeve të përgjithshme në Gjermani liderët në Evropë i dërguan mesazhe urimi kancelares gjermane Angela Merkel, partia e së cilës doli fituese, transmeton Anadolu Agency (AA).

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker në një letër urimi dërguar kancelares Merkel i uroi fat në bisedimet për koalicionin.

“Njohuritë personale dhe përvojat e juaja shumë vitëshe për politikën e Evropës, kanë një rëndësi të madhe si për Gjermaninë dhe fqinjët e saj në BE ashtu edhe për institucionet e BE”, thotë Juncker.

Presidenti i Parlamentit Evropian (PE) Antonio Tajani në rrjetet sociale ka shkruar: “Urime Angela Merkel. Gjermania do të vazhdojë të mbetet e lidhur me ‘ideologjinë evropiane’. Eja tani të punojmë së bashku që Evropa të kalojë nga reformat”.

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy në një telegram urimi dërguar Merkelit ka shkruar se “Gjermanët me rezultatet e këtyre zgjedhjeve edhe një herë kanë treguar mbështetjen për një Evropë të fuqishme, të bashkuar, konkurruese, të fuqishme dhe të begattë”.

Edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron nëpërmjet llogarisë së tij në rrjetin social ka shkruar: “Kam thirrur Angela Merkelin për ti uruar. Ne po vazhdojmë bashkëpunimin tonë me vendosshmëri për shtetet tona dhe për Evropën”.

– “Ka ardhur koha për të hyrë në alarm”

Ndërkaq zv/kryeministri i Belgjikës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Didier Reynders më tepër u fokusua në hyrjen e partisë së të djathtës ekstreme në parlament se sa në urimin e kancelares Merkel. “Ka ardhur koha për të hyrë në alarm. Pamë që në disa shtete po fuqizohen ekstremistët e djathtë”.

Reynders paralajmëroi se e djathta dhe e majta ekstreme do të fuqizohet në qoftë se në Evropë nuk bëhen reformat serioze në fushat si në ekonomi, migrim, mbrojtje dhe politikë të jashtme.

Ndryshe, në zgjedhjet e djeshme parlamentare në Gjermani Unioni Kristian-Demokrat i Angela Merkelit, CDU/CSU, ka fituar 33 për qind të votave ndërsa Socialdemokratët (SPD) kanë fituar 20.5 për qind.

Kurse partia e djathtë radikale Alternativa për Gjermaninë (AfD) me 12.6 për qind të votave të fituara për herë të parë arriti të hyjë në Parlament. Me këtë AfD ka arritur të rrisë numrin e votave kurse CDU/CSU dhe SDP kanë përjetuar një ulje prej gjithsej 14 për qind të votave.

Share Button