Libi, arrihet marrëveshje për armëpushim në Tripoli

Këshilli Presidencial i Qeverisë së Unitetit Kombëtar në Libi, ka njoftuar për arritjen e marrëveshjes për armëpushim në Tripoli dhe se të gjitha grupet e armatosura do të largohen nga qyteti, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e Këshillit Presidencial të transmetuar nga mediat lokale theksohet se është mbajtur një takim me qëllim të dhënies fund të konfliktit në Tripoli midis forcave të Qeverisë së Unitetit Kombëtar dhe Qeverisë së Shpëtimit Kombëtar.

Në takim të pranishëm ishin anëtarët e Këshillit Presidencial, ministrat e Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme të Qeverisë së Unitetit Kombëtar, gjeneralët e Tripoli dhe Misratas, dhe përfaqësues të Qeverisë së Shpëtimit Kombëtar.

Në përputhje me marrëveshjen, të gjitha grupet e armatosura, brenda 30 ditësh do të largohen nga vendet e pushtuara dhe do të lëshojnë qytetin, ndërsa procesi do të ndiqet nga komisioni që do të formohet nga Ministrisa e Mbrojtjes dhe e Punëve të Brendshme.

Përveç kësaj, u bisedua se cilat brigada do të kujdesen për sigurinë e Ministrisë së Brendshme, rrugës pranë aeroportit dhe sigurisë së pallatit për pritjen e mysafirëve.

Në përleshjet midis forcave të dy qeverive, të cilat kanë zgjatur dy ditë, u vranë tre persona.

I dërguari i posaçëm i OKB-së për Libinë Martin Kobler më parë kishte shprehur shqetësim në lidhje me përleshjet në Tripoli dhe rreziqet që paraqet për civilët.

Share Button