Lezhë, gjendet një makinë me shenja plumbash

Një automjet është gjetur i qëlluar me breshëri plumbash mëngjesin e sotëm në anë të superstradës Lezhë-Milot.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 05:00 në afërsi të kryqëzimit të Shënkollit, ndërsa nuk raportohet për viktima apo persona të plagosur.

Autovetura tip “Golf 4” me targa gjermane është gjetur e ndaluar në anë të rrugës dhe ngjitur me disa biznese të zonës, ndërsa duket qartë se plumbat e kanë përshkuar në të gjitha anët e saj.

Ende nuk dihen motivet apo autorët e mundshëm të kësaj ngjarje dhe as pronari i mjetit që është qëlluar.

Ekspertët e policisë të mbërritur në vendngjarje kanë bërë të ditur se brenda mjetit nuk ka njolla gjaku, çka e bën akoma më të mistershme përcaktimin e asaj së çfarë ka ndodhur realisht.

 

 

Share Button