‘Legjenda’ e valles popullore, Besim Zekthi, dekorohet “Nderi i Kombit”

Në 60-vjetorin e krijimit, presidenti Ilir Meta vlerësoi me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” Ansamblin Popullor, për kontributet e çmuara dhe interpretimet e shkëlqyera në më shumë se gjysmë shekulli, duke pasur një ndikim të jashtëzakonshëm, të ndjeshëm dhe të patjetërsueshëm në zhvillimin artistik e kulturor në mbarë vendin.

Ansambli Popullor vlerësohet për rolin e luajtur si ambasador i kulturës jashtë Shqipërisë, nëpërmjet përcjelljes së vlerave më të qenësishme të folklorit shqiptar e trashëgimisë sonë shpirtërore në të gjithë botën.

Gjatë një ceremonie të zhvilluar në Teatrin Kombëtar mbrëmjet e të dielës, presidenti i Republikës çmoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” kërcimtarin, dhe mjeshtrin e valles popullore shqiptare zotin Besim Zekthi në vlerësim të kontributit shumëvjeçar si solist me nivel të lartë interpretativ dhe mjeshtëri të veçantë artistike të valleve shqiptare; për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin tek brezat e artistëve të rinj, si dhe për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore jashtë vendit.

Në fjalën e tij, Meta u shpreh se Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore prej shumë kohësh është kthyer në një vatër të pashtershme e cila, e frymëzuar nga gurra popullore, ka përpunuar dhe ekzekutuar me cilësi të larta artistike e muzikore motivet e këtij thesari të madh, që populli ynë e transmeton me besnikëri brez pas brezi.

Kreu i Shtetit vuri në dukje se ai ka spikatur jo vetëm në skenat shqiptare por veçanërisht me pjesëmarrjet e suksesshme në festivale të ndryshme në rajon, në Evropë, në Afrikë, në Azi e deri në Amerikë.

Në këto festivale ndërkombëtare, Ansambli Popullor është vlerësuar me disa çmime si: “Çmimi i Parë” në Festivalin e Bursës, Turqi (1982), “Çmimi i Parë” ne Festivalin Ndërkombëtar, SHBA (1994), “Ansambli më i preferuar” në Festivalin e Kanadasë (1996), “Çmimin e Dytë Ndërkombëtar” në Festivalin Ndërkombëtar “Folk-Area 2000” në Shqipëri, “Çmimi i Dytë” në Festivalin “Harmonie Festival 2005” në Limburg të Gjermanisë etj.

Ansambli Popullor ka marrë gjithmonë vlerësime vlerësuese nga shtypi i huaj duke veçuar atë të Francës në vitin 1970, ku fitoi edhe “Gjerdanin e Artë” në festivalin e Dizhonit dhe sërish në 1980-n, duke e cilësuar shfaqjen e tij si “cikloni shqiptar”, që mahniti dhe la gojëhapur spektatorët dhe njohësit e shumtë të apasionuar pas muzikës popullore.

Emrat e kompozitorëve, drejtuesve artistikë, skenografëve, instrumentistëve, valltarëve dhe valltareve gjatë këtyre gjashtë dekadave janë të panumërt, dhe nuk do të mjaftonte gjithë mbrëmja për t’i përmendur një e nga, sepse vlerat, talenti dhe mjeshtëria në radhë të parë janë individuale por bashkërisht ju e shndërruat këtë Ansambël në një visar dhe krenari kombëtare!

Duke veçuar legjendën e Valles Popullore Shqiptare, Besim Zekthin, Meta tha se “të gjithë ne i kemi të ngulitura në kujtesën tonë interpretimet e tua mahnitëse të “Valles së Shqipeve” apo “Festë të madhe ka sot Shqipëria”, kur vrulli i brendshëm të jepte krahë dhe të bënte të fluturoje pa u ndalur porsi një shqipe krenare”.

“Talenti i rrallë dhe mjeshtëria jote virtuoze interpretuese kanë qenë dhe mbeten jo vetëm shfaqje artistike të jashtëzakonshme, por edhe burim i pashtershëm frymëzimi për brezat e rinj të artistëve dhe valltarëve shqiptarë, dhe jo vetëm”, deklaroi presidenti. /b.d

Share Button