Kuvendi i Shqipërisë voton kundër kërkesës për arrestimin e ish-ministrit Tahiri

Kuvendi i Shqipërisë ka rrëzuar në seancën e sotme kërkesën e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë “Për dhënien e autorizimit për arrestimin dhe heqjen e lirisë së ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë dhe deputetit Saimir Tahiri”,  në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas prezantimit në seancë plenare të dy raporteve, përgatitur nga deputetët e pozitës dhe opozitës, pjesë e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin të Kuvendit të Shqipërisë, është kaluar në votim.

Nga 135 deputetë të pranishëm në seancë nga 140 gjithsej, 75 prej tyre votuan kundër kërkesës së prokurorisë për arrestimin dhe 60 pro kërkesës në fjalë, ndërsa pesë deputetë nuk kanë marrë pjesë në votim.

Deputetët e opozitës, konkretisht të Partisë Demokratike kërkuan dhe votuan që të miratohet dhe mos të refuzohet kërkesa për arrestimin e ish-ministrit Tahiri.

Ndërkohë Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur të lejojë prokurorinë për kontrollin personal dhe të banesës, si dhe hetimin në gjendje të lirë për Tahirin.

Kujtojmë se më 19 tetor, Prokuroria për Krime të Rënda i kërkoi Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetit Saimir Tahiri, në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, sipas saj, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”.

Prokuroria thekson se po zhvillon hetime, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për një grup kriminal, i cili ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike kanabis sativa nga Shqipëria në drejtim të Italisë.

Kujtojmë se kërkesa në fjalë erdhi pas publikimit të një dosje me përgjime nga autoritetet italiane, të disa personave që akuzohen për trafik të lëndëve narkotike, ku përmendet edhe emri i ish-ministrit të Brendshëm të Shqipërisë.

Saimir Tahiri ka mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme gjatë mandatit të parë të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Edi Rama, në periudhën shtator 2013-maj 2017, ndërsa në zgjedhjet e 25 qershorit u zgjodh si deputet i Partisë Socialiste.

Share Button