Kush do të jetë kreu i BE-së?

Përpjekjet për gjetjen e konsensusit mbi reformën europiane kanë mbledhur në një minisamit në afersi të Stokholmit liderët e qendrës së djathtë nga Suedia, Gjermania, Britania e Holanda. Pyetja polemizuese se kush do të drejtojë Komisionin Europian me shumë gjasë do të jetë në diskutim, por jo zyrtarisht. David Cameron do të përpiqet të krijojë aleanca për bllokimin e kandidaturës së Jean Claude Juncker, çka e vendos kryeministrin britanik përballë Angela Merkel, publikisht mbështetëse e caktimit të ish-shefit të qeverisë së Luksemburgut në krye të ekzekutivit të bllokut europian. Krerët e Bashkimit Europian e kanë caktuar tradicionalisht vetë drejtuesin e komisionit, por rregullat e reja i detyrojnë të marrin në konsideratë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare. Partia Popullore Europiane, grupimi më i madh i qendrës së djathtë në PE, anëtar i së cilës është edhe Juncker, siguroi numrin më të madh të vendeve në zgjedhjet e majit. Ai argumenton se një fakt i tillë duhet t’ia japë automatikisht mandatin. Por vëzhguesit vërejnë se as Juncker e as ndonjë kandidat tjetër nuk ka mundur deri tani të sigurojë një shumicë të qartë. Disa nga liderët e bllokut, ndër të cilët edhe Cameron i shfaqur së fundi si zëri më i fuqishëm kundërshtues, këmbëngulin se prioritetet e komisionit duhet të ripërvijohen përpara zgjedhjes së një pretendenti të përshtatshem. Ai i presidentit të Komisionit Europian është posti më i fuqishëm në Bruksel. Kësaj figure i takon detyra e formëzimit të politikave të BE-së në zona kyçe si reformat ekonomike, emigracioni apo lidhjet me fuqitë e tjera globale.
Shumë pak detaje ka nga minisamiti i Harpsundit. Megjithatë, në krye të axhendës thuhet të jetë krijimi i vendeve të reja të punës, ndryshimet kushtetuese në bllokun europian, si dhe reformat strukturore për rritjen e konkurrencës së tij.

Share Button