Kulla Eiffel mbrohet nga një mur xhami i padepërtueshëm

Këshilli Komunal i Parisit ka miratuar projektin për mbrojtjen e simbolit të Francës, Kullës së Eiffelit (Eiffel Tower), me qelq antiplumb.

Në mbledhjen e Këshillit të Kuvendit Komunal, me votim unanim është pranuar ndryshimi që do të ndërmerret kundër sulmeve terroriste.

Në vendimin e komunës theksohet se “në një periudhë kur kërcënimi nga terrori është rritur, siguria e kullës është më e rëndësishme se kurdoherë më parë”.

Punimi është planifikuar të përfundojë brenda tre muajve të fundit të vitit 2018, ndërsa do të kushtojë 20 milionë euro.

Sipas vendimit, në pjesën e parme dhe të pasme të kullës do të vendosen panele qelqi antiplumb në lartësi prej 2,5 metrash, kurse në frontin e djathtë dhe të majtë, ku do të bëhen kontrollet e sigurisë dhe hyrjet dhe daljet, do të vendosen parmakë metalikë.

Me rregullimin e ri, turistët që do ta vizitojnë kullën do të hyjnë në hapësirën e saj me kontroll të sigurisë, kurse do të ndryshojë edhe rrjedha e komunikacionit përreth kullës, me çka planifikohet që automjetet të mbahen sa më larg saj.

Ndryshe, Kulla e Eiffelit çdo vit vizitohet nga shtatë milionë turistë.

Kompania për Menaxhimin e Kullës së Eiffelit gjatë kampionatit evropian të futbollit në vitin 2016 (EURO 2016) vendosi gardhe metalike përreth kullës për shkaqe sigurie. Kjo praktikë u kritikua për prishje të pamjes së jashtme të kullës.(AA)

Share Button