Kryeprokurori i Turqisë vizitë në Shqipëri

Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla, është takuar me prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Turqisë, Mehmet Akarca, transmeton Anadolu Agemcy (AA).

Në një njoftim zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë thuhet se në këtë takim u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, tentativën për grusht shteti në Turqi, bashkëpunimin rajonal, etj.

Në njoftim theksohet se Llalla vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me autoritetet turke në luftën kundër krimit të organizuar dhe, në veçanti, trafikut të lëndëve narkotike. Akarca ka kërkuar bashkëpunimin e Shqipërisë për hetimin e disa prej personave të përfshirë në tentativën për grusht shteti vitin e kaluar në Turqi, organizuar nga organizata terroriste FETO.

“Akarca kërkoi bashkëpunimin e autoriteteve shqiptare për hetimin e disa prej personave të përfshirë në ngjarjet e 15 korrikut 2016 në Turqi, për të cilët institucionet ligjzbatuese turke kanë dyshime se strehohen në Shqipëri. Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë i sugjeroi homologut të tij turk mundësinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje dypalëshe, e cila do t’i shërbejë shkëmbimit në kohë reale të të dhënave hetimore për çështje me interes të përbashkët. Gjatë takimi, prokurori i Përgjithshëm i Turqisë, Akarca, i konsideroi shumë të rëndësishme raportet me autoritetet shqiptare dhe garantoi se kjo frymë bashkëpunimi do të vijojë të forcohet edhe në të ardhmen”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se Akarca foli për nevojën e forcimit të bashkëpunimit rajonal e më gjerë, sipas tij, nisur nga rreziku i përhapjes së terrorizmit në Ballkan e në Evropë.

Share Button