Kryeministri kanadez dhe liderja e Mianmarit diskutuan për Arakanin

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau dhe liderja e Mianmarit Aung San Suu Kyi diskutuan për krizën e Arakanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Përfaqësuesi special i Kanadasë në Mianmar Bob Rae, në një deklaratë për gazetarët tha se Trudeau i cili ndodhet në Vietnam me rastin e Samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në Danang ka zhvilluar një takim 45 minutësh me lideren e Mianmarit Suu Kyi.

Ai bëri të ditur se takimi është realizuar për të diskutuar, sidomos për masakrat ndaj muslimanëve të Arakanit (Rohingya). Rae thotë se kryeministri i Kanadasë ka shprehur shqetësimet e tij për ato që po ndodhin në Arakan.

Rae tha se çështja e Arakanit në ditët në vijim do të diskutohet në Këshillin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe se qeveria e Mianmarit mund të bëjë më shumë për t’i dhënë fund masakrave.

Spastrimi etnik ndaj muslimanëve të Arakanit

Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti e deri tani si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjet dhe daljet në rajon.

Gjatë sulmeve të cilat janë shndërruar në një spastrim etnik janë djegur ose shkatërruar rreth 300 fshatra nga ushtria dhe budistët radikalë, si dhe mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare apo të lumenjve. Ndërkohë dhjetëra mijëra të tjerë janë në kërkim të rrugëve për t’u larguar në Bangladesh.

Parashikohet se rreth 2 milionë muslimanë jetonin në Arakan në vitet 1970, por ky numër ka rënë nën 200 mijë për shkak të largimeve nga sulmet sistematike.

Share Button