Kryeministri i dorëhequr i Libanit: Së shpejti rikthehem në vendin tim

Kryeministri i dorëhequr i Libanit, Saad Hariri, ka konfirmuar se së shpejti do të kthehet në vendin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Unë kam dhënë dorëheqje. Unë shumë shpejt do të shkoj në Liban dhe do të jap dorëheqjen në mënyrë kushtetuese”, tha Hariri, në intervistën e parë televizive pas dorëheqjes së tij.

Më 4 nëntor, Hariri në mënyrë të papritur njoftoi dorëheqjen e tij në një fjalim televiziv. “Dorëheqja ime erdhi si një thirrje zgjimi për Libanin”, tha ai. Në fjalimin e tij të dorëheqjes, Hariri kritikoi Iranin dhe aleatin e tij libanez, Hezbollahun, duke i akuzuar për ngjalljen e “kryengritjes” në rajon dhe përzierje në çështjet arabe.

“Unë nuk jam kundër Hezbollahut si një parti, unë kam një problem me Hezbollahun që shkatërron vendin”, tha Hariri gjatë intervistës.

Të premten, shefi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, pretendoi se Hariri ishte duke u mbajtur kundër vullnetit të tij nga Arabia Saudite, e cila nuk lejon atë të kthehet në Liban. Autoritetet saudite ende nuk kam komentuar pretendimet e Nasrallahut.

Dorëheqja e Hariri-t, e cila ende nuk është miratuar nga presidenti libanez, Michel Aoun, erdhi mes tensioneve midis Arabisë Saudite dhe Iranit. Aoun tha se nuk do të pranonte dorëheqjen e Hariri-t derisa të kthehej në Liban për të shpjeguar qëndrimin e tij.

Hariri u emërua kryeministër në fund të vitit të kaluar. Para dorëheqjes së tij, më 4 nëntor, ai udhëhoqi një qeveri me 30 anëtarë që përfshinte edhe Hezbollahun.

Share Button