Kryeministri turk Erdogan shtyn vizitën në Shqipëri

Kryeministri turk Erdogan ka shtyrë vizitën e planifikuar për sot në Shqipëri.

Shkak për një vendim të tillë është bërë tragjedia e ndodhur në një minierë qymyri në Turqi ku humbën jetën mbi 200 minatorë ndërkohë që qindra të tjerë vazhdojnë të jenë të izoluar.

Lajmi është konfirmuar nga kryeministri Edi Rama në Facebook, pas nje bisede qe ka pasur me homologun turk.

“Bisedë e trishtë më kryeministrin Erdogan për tragjedinë e minatorëve në Turqi dhe mirëkuptim për shtyrjen e vizitës në Tiranë! Me zemër pranë në dhimbje,”- shkruan Rama në Facebook.

Kryeministri turk Erdogan do të zhvillonte një vizitë një ditore në Shqipëri pas ftesës së bërë nga kryeministri shqiptar, Edi Rama.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë kryeministri turk përveç takimeve me kreun e qeverisë shqiptare, Edi Rama, ishte parashikuar të takohej edhe me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, Kreun e Kuvendit, Ilir Meta, si dhe do të mbante një fjalim të posaçëm në Parlamentin e Shqipërisë.

Share Button