Kryebashkiaku i Pogradecit jep dorëheqjen

Kryebashkiaku i Pogradecit Artan Shkëmbi ka dhënë dorëheqjen e tij nga posti me argumentin se nuk dëshiron të ndërhyjë apo ndikojë në zgjedhjen e një kandidati të ri për këtë bashki. Nga selia e PS, Shkëmbi deklaroi se dorëheqjen e tij do t’ja paraqesë edhe me shkrim kryeministrit. “Zgjodha këtë dite sot për t’ju thëne të gjithëve se unë do t’i paraqes dorëheqjen time nga detyra Kryeministrit Edi Rama. Sepse dua ta lë tërësisht të lirë rrugën për zgjedhjen e një kandidati apo kandidateje të re për të vazhduar punën time. Nuk dua të pengoj dhe as të influencoj në këtë zgjedhje të rëndësishme, aq më tepër në kushtet kur pas riorganizimit territorial bashkia e re ka një hapësirë shumë më të madhe përgjegjësie dhe sfidash për të përballuar. Jam i përulur përpara çdo votuesi që më ka besuar qoftë edhe njëherë për çdo zhgënjim që mund të kem krijuar pa dashjen time. Dhe u kërkoj ndjesë për çfarëdo gabimi që me siguri mund të kem bërë në kaq shumë vite pune të vështirë, plot pasion po edhe plot probleme për tu zgjidhur. U jam mirënjohës gjithë jetën pogradecareve dhe njerëzve të skuadrës sime në bashkinë e qytetit. Që nga nënkryetarët e deri tek pastruesit e qytetit pa asnjë dallim”, deklaroi Shkëmbi.

Share Button