“Kriza më e madhe humanitare në botë është në Jemen”

Ndihmësja e Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR), Kate Gilmore, tha se kriza më e madhe humanitare në botë është në Jemen. Ajo tha se në këtë vend që nga viti 2014 kanë humbur jetën më shumë se 5 mijë civilë, ndërsa janë plagosur rreth 9 mijë të tjerë, raporton Anadolu Agency (AA).

Gilmore në fjalimin e saj në sesionin e 36-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut që po vazhdon në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, tregoi se gjendja humanitare në Jemen në tre vitet e fundit është duke u përkeqësuar dhe se përleshjet kanë efekte shkatërruese mbi popullin.

“Kriza më e madhe humanitare në botë është në Jemen”, tha Gilmore duke tërhequr vëmendjen se 18.8 milionë njerëz prej 27.4 milionë kanë nevojë për ndihma humanitare.

Gilmore njoftoi se 10.3 milionë nga civilët kanë nevojë urgjente për ndihmë, ndërsa 7.3 milionë janë në pragun e urisë.

Ajo gjithashtu theksoi se Zyra e OHCHR-së në Jemen ka identifikuar se që nga viti 2014 kanë humbur jetën më shumë se 5 mijë civilë, ndërsa janë plagosur rreth 9 mijë të tjerë.

Gilmore vlerëson se numri i civilëve të vdekur mund të jetë edhe më i madh, ndërsa vuri në duke se më shumë se tre milionë njerëz janë detyruar të braktisin shtëpitë e tyre.

Ajo potencoi se fatkeqësia në Jemen është “shkaktuar nga njeriu”, tha se popullata është duke u varfëruar ditë pas dite ndërsa gjendja humanitare përkeqësohet çdo ditë e më shumë në këtë vend.

Sipas një raporti të publikuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), që nga 27 prilli e deri më tani në vend janë vërejtur 704.544 raste të dyshuara të kolerës ku si pasojë e epidemisë kanë humbur jetën 2.103 persona.

Share Button